Përveç kombëtares shqiptare të meshkujve që është në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme, atë ndaj Norvegjisë që do luajë javën e ardhshme, në fushë ka dalë edhe kombëtarja e futbollit të femrave. Ajo ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një ndeshje miqësore me kombëtaren e Maqedonisë, ndeshje kjo që është fituar nga kjo e fundit me rezultatin 4-3. Takimi në fjalë është luajtur në stadiumin e qytetit të Pogradecit. Interesant ishte fakti se mes këtyre dy kombëtareve, ishin zhvilluar edhe tre ndeshje miqësore më parë dhe të treja ato ishin fituar nga vajzat e kombëtares tonë por këtë herë ka ndodhur ndryshe. Fati I ndeshjes u vendos që në pjesën e parë pasi Maqedonia shënoi tre gola brenda 35 minutave të para të lojës megjithatë Shqipëria arriti të ngushtonte rezultatin duke shënuar dy gola dhe në këtë mënyrë kjo pjesë u mbyll me rezultatin 3-2 për miket.


Njëri nga golat e ekipit tonë përfaqësues është shënuar nga futbollistja e ekipit shkodran të Juban Danjes, Advije Veliu. Në pjesën e dytë ndërkohë dy ekipet kanë shënuar edhe nga një gol, teksa ai për ekipin tonë është shënuar nga sulmuesja e Adës Ana Baro. Në këtë mënyrë me rezultatin 4-3 është mbyllur kjo miqësore në favor të ekipit maqedonas. Për skuadrën tonë të drejtuar nga trajneri Altin Rraklli ka qenë një test I rëndësishëm në prag të nisjes së ndeshjeve eliminatore në muajin shtator. Për t’u përmendur është fakti se gjysma e skuadrës sonë kombëtare në këtë miqësore ka qenë e përbërë nga futbollistet e dy ekipeve të Shkodrës, Adës dhe Juban Danjës që kanë patur secila nga 5 sportiste në këtë ndeshje dhe pikërisht Kokiçi, Bajrakurtaj, Berisha, Proto dhe Baro për Adën dhe Preçi, Veliu, Seranaj, Jashari e Rrahmani për Juban Danjen.