Shqipëria U-19 e nisi me humbje fushatën kualifikuese për Europianin 2023/2024. Kuqezinjtë që ndodhen në Grupin 13, u mundën 3-1 ndaj Irlandës, në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena”.

Trajneri Ervin Bulku e nisi me këtë formacion: Klevi Toshi, Klevis Haxhari, Ermal Meta, Elton Fikaj, Ardit Nuredini, Arlind Kurti, Jordi Jaku, Oresti Kasmollari, Dean Vranici, Flavio Sulejmani dhe Erald Krasniqi. Siç shikohet pjese e formacionit kane qene edhe dy futbollistet shkodrane, Elton Fikaj qe luan me Panathinaikos dhe Klevis Haxhari qe luan me New York City, nderkohe qe ne formacionin e Irlandes ka qene shkodrani tjeter Rocco Vata.

Ndeshja nisi më mirë për Irlandën që gjeti golin që në minutën e 5-të të takimit me Mark O’Mahony. Megjithatë kuqezinjtë gjetën forcë dhe barazuan me Erald Krasniqin në minutën e 23, falë një eurogoli. Pjesa e parë e takimit përfundoi në barazim me rezultatin 1-1, ndërsa fraksioni i dytë nisi me dy zëvëndësime për kuqezinjtë. Trajneri Ervin Bulku aktivizoi Dejvi Duron dhe Adi Kurtin.

Në vijim, Irlanda mori avantazhin duke realizuar golin e dytë sërish me Mark O’Mahony, ndërsa tre minuta më vonë Franco Umeh realizoi edhe të tretin për Irlandën. Pavarësisht pësimit të golave të shpejtë, kuqezinjtë u munduan të reagonin. Mbrojtesi shkodran i kombetares tone Klevis Haxhari i shkoi shumë pranë golin të dytë por u ndal nga shtylla.

Në fund gjithçka përfundoi me rezultatin 3-1, ndërsa sfida e radhës për Shqipërinë U-19 do të jetë ndaj Belgjikës U-19, më datë 18 nëntor në orën 14:00. Ndeshja e fundit do të jetë ndaj Sllovenisë U-19, më datë 21 nëntor në ora 14:00.

Ndeshja tjetër e grupit mes Sllovenisë U-19 dhe Belgjikës U-19 përfundoi në barazim 1-1. Sfida u luajt në “Arena Egnatia” dhe të dy golat u realizuan në fraksionin e dytë. Jaka Cuber Potocnik i dha avantazhin Sllovenisë në minutën e 52, ndërsa Belgjika vendosi baraspeshën në të 66-ën falë golit të Arjan Malic.

Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round”, së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese. Faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.