Pas Kristian Demës që ka firmosur një kontratë me ekipin Meksiko Guerreros, dy boksierë të tjerë shkodranë do të përfaqësojnë ekipin e Podgoricës së Malit të Zi në Euroligë. Bëhet fjalë për Kristian Shytanin dhe Asmer Bilalin. Bashkë me ta do të jetë edhe vlonjati Krenar Zeneli. Të tre këta boksierë janë përzgjedhur nga drejtuesit e ekipit malazez për ta përfaqësuar në këtë veprimtari të rëndësishme që sapo ka nisur dhe ku marrin pjesë shumë ekipe nga vende të ndryshme të Europës.

Sipas kalendarit të përcaktuar, më datën 29 nëntor, në Zagreb do të jetë ndeshja e ekipeve Zagrebi- Podgorica dhe pjestarë të këtij të fundit pra do jenë edhe tre shqiptarët. Zeneli do konkurrojë në peshën 56 kilogramë, Shytani në 64 kilogramë dhe Bilali në 69 kilogramë. Kuptohet që ata nuk kanë firmosur kontratë me klubin malazez sepse kështu është rregulli megjithatë do shpërblehen për çdo sukses të arritur. Përzgjedhja e tyre për të qenë pjesë e ekipit të Podgoricës sigurisht që është një vlerësim pozitiv për boksin shqiptar. Në Ballkan ai ka treguar se dominon dhe kjo shihet qartë edhe në sukseset e shumta të arritura në të gjithë aktivitetet e zhvilluara si në Maqedoni, ashtu edhe së fundi në Kosovë. Krijimi i Euroligës natyrisht që është diçka pozitive për këtë sport megjithatë në të mungon një ekip shqiptar. Vllaznia ka patur dëshirën e madhe për të marrë pjesë megjithatë pengesa është padyshim ana financiare. Në mungesë të saj, boksierët shkodranë janë të detyruar të përfaqësojnë ekipin e Podgoricës megjithatë edhe ky është një sukses.

Gjergj KOLA