Marash Kumbulla nuk po kalon një moment të mirë te Roma nisur dhe nga sjelljet e ashpra të Murinjos për të ndëshkuar sipas tij ‘’futbollistët fajtor’’ për disfatën në Norvegji.

Por të gjithë u surprizuan ditën e djeshme kur emri i Marash Kumbullës ishte në listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën që Roma do të luajë ndaj Kaljarit mbrëmjen e sotme. Në Itali kanë analizuar situatën dhe janë dy arsyet që Murinjo ka vendosur të thërrasë Kumbullën dhe jo 4 lojtarët e tjetër të dënuar.

E para është se Murinjo nuk kishte asnjë qendër mbrojtës në dispozicion. Smalling është i dëmtuar, ndërsa mbeten vetëm Mancini dhe Ibanez, pa asnjë alternativë. Arsyeja e dytë është gjesti që Kumbulla bëri menjëherë pas disfatës turpëruese.

Mbrojtësi i Kombëtares kërkoi falje publike me anë të një postimi në rrjetet sociale duke fituar respektin e tifozëve të Romës, por dhe duke i ndryshuar mendjen Murinjos. Mbrojtësi shqiptar ka një arsye shumë të fortë tani për tu kthyer edhe më i fortë, duke bërë paraqitje si ato me Kombëtaren.