Eros Grezda po kalon një nga momentet më të vështira në karrierën e tij duke qenë se gjërat nuk po i ecin mirë në Skoci. Futbollisti i kombëtares është bërë së fundmi protagonist për keq në kampionatin skocez, aty ku aktivizohet me skuadrën e të rinjve të Rejnxhërsit.

Në ndeshjen përballë Balimenas, Grezda ishte titullar dhe luajti deri në 10 minutat e fundit, ndërkohë që ka krijuar edhe një situatë aspak të këndshme. Në pjesën e dytë të takimit, Grezda ka pështyrë në fytyrë kundërshtarin e tij, gjë e cila ka sjellë jo pak reagime në fushë, si edhe jashtë saj. Zëdhënësi për shtyp i Rejnxhërsit, u shpreh se do të hetohet e gjithë situata dhe më pas do të merret një vendim për sulmuesin shqiptar i cili me shumë gjasa do të dënohet për veprimin e bërë.

Sakaq, në përfundim të ndeshjes, Grezda e ka vazhduar sërish inatin e tij duke mos pranuar që t’i japë dorën kundërshtarit. Ai që ka qetësuar disi situatën dhe ka treguar vlerat e tij, ka qenë kapiteni i të rinjve të Rejnxhërsit, Greg Doçerti i cili ka shkuar në drejtim të dhomave të zhveshjes së kundërshtarit. Ai iu ka kërkuar falje futbollistëve kundërshtarë për veprimin e bërë nga Grezda dhe më pas është rikthyer në dhomën e tij. /vipsport/