Partizani ka hyrë në një krizë të thellë këtë sezon, që nuk i shkon klubit për vetë historinë që mbart me vete në futbollin shqiptar.

Kritikat nuk kanë munguar dhe nga përgjegjësia e fajit nuk kishte si të shpëtonte as trajneri Sormani. I ftuar në emisionin “Pressing” në “ABC News”, Sulejman Starova ka analizuar situatën e të kuqve.

Ish-trajneri i Partizanit tregohet i hapur dhe thotë se është një krizë që ka kapur skuadrës, pasi në mëmorien e tij 30-vjeçare te kryeqytetasit nuk kujton të jenë marrë 5 humbje rresht më parë.

Sipas Starovës duhet punë dhe jo fjalë për të zgjidhur situatën, ndërsa bën thirrje për tifozët se ekipi duhet mbështetur në këto momente, ashtu sikurse kanë bërë rivalët e Tiranës, apo edhe duke sjellë shembuj të huaj si Interi dhe Milani.

“Është një situatë jo e zakonshme, një krizë të themi. Nuk mbaj mend 30 vite në klub që të marrë 5 humbje rresht, është një rekord shumë negativ. Edhe kur ra nga Kategoria, them që dhe atëherë nuk mund të ketë ndodhur.

Nuk zgjidhet me fjalë, duhet bërë një analizë e thellë me të gjithë teknikët e klubit, me stafin aktual, për të dhënë përgjigje. Rivalët, Tirana e Kukësi, e mposhtën që në merkato, pasi dhe në merkato ka garë. Një arsye tjetër është ndërrimi i trajnerëve, pastaj dhe gjërat e vogla.

Kemi dhe një shprehje ne: Kur të vjen e keqja, hapi derën. Nuk iu dha dhe një penallti sapo filloi ndeshja kundër Kukësit. Tifozi nuk duhet të shajë ekipin e tij, duhet ta mbështesë. Kemi raste si Tirana, që prej vitesh ka pasur mbështetje. Kemi dhe shembuj në botë, si Milani dhe Interi që nuk shohin dritë prej vitesh. Partizanit i duhet një plan afatshkurtër dhe afatmesëm, pasi kampionati mbaron shumë shpejt.

Ka dy ndeshje relativisht të lehta, duhet të bëjë të pamundurën të mbarojë sezonin siç duhet dhe të arrijë Europën. Kur skuadra shkon keq, duhet ngrohtësi dhe kritikat e sharjet, i bëjnë dëm skuadrës”, ka deklaruar Sulejman Starova./Sport Ekspres/