Zhurma e krijuar kohët e fundit në lidhje me zgjedhjet e bëra nga shumë futbollistë të cilët kanë vendosur të lënë ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe të zgjedhin ato të Kosovës, natyrisht që pritet të vazhdojë edhe për disa kohë të tjera. Edhe tek futbolli i femrave ka ndodhur një gjë e tillë, madje shumë vajza kanë braktisur kombëtaren U-19 vetëm pak ditë parë një ndeshje eliminatore duke e vënë në një pozitë shumë të vështirë trajnerin Dede.
Por, ka edhe nga ato vajza që nuk kanë ndër mend të braktisin kombëtaren shqiptare. Njëra prej tyre është Suada Jashari, mesfushorja me shumë përvojë e Vllaznisë por edhe e ekipit tonë kombëtar. E pyetur në lidhje me këtë temë dhe cilën kombëtare do kishte zgjedhur nëse vihej para një detyrimi të tillë, ajo është përgjigjur: “Shqipëria ka qenë e para që na ka hapur dyert dhe nuk ka pse ta braktisim. Deri më sot, askush nuk na ka vënë para pozitës se cilën kombëtare do të zgjedhim por edhe nëse ndodh kjo, unë e kam bërë zgjedhjen time prej vitesh: do të vazhdoj me kombëtaren kuqezi sepse aty ndjehem mirë dhe do të vazhdoj të jap më të mirën për të”.Nga ana tjetër, lojtarja që luan prej katër sezonesh me ekipin kampion të Shqipërisë, Vllazninë, duket shumë e kënaqur me trofetë që po fiton me të dhe po ashtu është e vendosur të vazhdojë të luajë sa më gjatë me të. “Vllaznia është ekipi më i mirë shqiptar prej vitesh dhe nuk ka arsye ta ndërroj. Dëshira ime është që derisa të luaj futboll, të jem pjesë e këtij ekipi”.
© shkodrasport.com