Vllaznia dhe Bylisi kanë ndarë pikët në “Loro Boriçi” pas barazimit 0-0 në sfidën e javës së 27-të të Superiores. Pas ndeshjes ka folur edhe trajneri i ballshiotëve, Naxhi Shensoj.

“Komplimente traditës së futbollit shkodran, klub i madh gjithmonë Vllaznia me traditë e objektiva. Më pëlqejnë edhe spektatorët e publiku i Vllaznisë se këtu janë trajnerë, secili prej tyre është trajner se e njohin futbollin. Por minus është numri, janë pak, një thirrje shkodranëve që të vijnë e mbështetin skuadrën e vet që ka objektiva të shkojë në Europë e më tepër të dojë futbollin. Se kënaqësia të vij këtu është me qejf të madh se luajnë futboll.

Për ndeshjen, ishte një ndeshje tipike kampionati ku Vllaznia ka ende objektivat e saj e ne për mbijetesë. Por e analizuam Vllazninë e pastaj ndërrimi i trajnerit ishte një moment për ne që e shfrytëzuam. Ishim me nivel dhe e dinim që ishim në rrugë të mirë pasi vazhduam lojën me Tiranën deri në 75 minuta, nuk e lejuam Vllazninë të krijonte raste në pjesën e parë. Kjo do të thotë që skuadra u mbrojt mirë.

Në fazën sulmuese nuk bëmë shumë, patëm dy raste me Kaçorrin, por nuk ishte loja si me Tiranën. Në pushim u thashë lojtarëve që të përmirësojmë 20% në lojën ofensive, si ndodhi, sidomos kur hyri Qardaku. Por nuk i shfrytëzuam ato raste, kishim në pjesën e dytë më shumë raste të pastra se Vllaznia.

Erdhëm për tre pikë, ne i humbëm pikët, ishim të paktën 51% më mirë së Vllaznia. Do vazhdojmë edhe 9 ndeshje e sfida, do vazhdojmë, ky është kapaciteti, nuk kemi lojtarë të tjerë. Do vazhdojmë dhe punojmë.

Ne jemi të suksesshëm në lojë, por jo në zonën e fundit. Vlen edhe kualiteti e vetëbesimi. Duhet të pranojmë se në lojë, sulmuesit tanë po luajnë mirë. Jashtë portës e 40-50 metra lart, bëhen si luanë, por kur afrohen te porta zvogëlohen. Do të punojmë, edhe kualiteti i lojtarëve e humbja e vetëbesimit të sulmuesve ndikon”, tha Shensoj për “Oversport”.