Është çelur sot java e dytë e kampionatit të Kategorisë Superiore me ndeshjen Tirana-Teuta e përfunduar në barazim pa gola në “Selman Stërmasi”.

Si Tirana, ashtu edhe Teuta vazhdojnë agjerimin e tyre të golave, teksa edhe këtë të premte kanë dështuar në misionin për gjetjen e golit të parë të këtij sezoni.

Duke ndarë të dyja nga një pikë, të dyja skuadrat vazhdojnë të ndjejnë mungesën e fitores së parë në këtë sezon të ri, duke vështirësuar që në fillim pozitat në klasifikim.

Tirana me vetëm 1 pikë dhe Teuta me 2 pikë në dy ndeshje, tashmë vihen në ndjekje të kryesuesve, që këtë javë kanë shanset të thellojnë epërsinë në krye të klasifikimit.

Nuk kanë munguar rastet dhe spektakli në “Selman Stërmasi”, me të dyja skuadrat që i janë afruar golit disa herë, por pa saktësi në finalizim.

Teuta ka tronditur dy herë portën e bardhebluve, me fatin që ka ndihmuar 24 herë kampionët e Shqipërisë, të cilët janë shpëtuar përkatësisht nga traversa e shtylla, sikurse.

Jo pak shanse ka patur edhe Tirana, por me gabime të shumta në finalizim, duke shpërdoruar disa raste flagrante para portës së mbrojtur nga Hidi. Ky i fundit është vënë seriozisht në provë vetëm një herë, duke e grushtuar topin dhe neutralizuar rrezikun.

Nuk kanë reshtur tentativat nga të dy kampet deri në momentet e fundit të ndeshjes, me bardheblutë disi më kërkues, por me asnjë nga ekipet në gjendje për të dërguar topin në rrjetë.

Tirana: Abibi, Doka, Turtulli, Atinga, Hoxhallari, Hasani, Maveje, Karabeci, Kobina, Sentamu, Blazhevski.

Trajner: Ze Maria

Teuta: Hidi, Gjorgjevski, Bicaj, Osmani, Hakaj, Avdyli, Sidibe, Kruja, Kamara, Traore, Latif.

Trajner: Bledi Shkëmbi

Arbitër: K. Meta