Merkato në mbarë Europën, por edhe në Shqipëri është në javën e fundit. Lëvizjet e futbollistëve do kenë mundësi të kryhen deri në fundin e këtij muaji. Edhe në kampionatin tonë kanë qenë të shumta prurjet e futbollistëve. Thuajse gjitha ekipet kanë bërë minimalisht nga 5-6 afrime, duke qenë kështu aktivë në merkato.

Por realisht këto mund të cilësohen vetëm afrime dhe jo blerje. Asnjë ekip në Superligë përveç Partizanit dhe Tiranës nuk ka shpenzuar para për të afruar futbollistë. Skuadra si Vllaznia, Laçi, Kukësi pavarësisht se kanë marrë shumë futbollistë në gjirin e tyre nuk kanë shpenzuar asnjë cent. E po ashtu edhe skuadrat e tjera të kampionatit si: Bylis, Teuta, Erzeni, Egnatia dhe Kastrioti nuk kanë shpenzuar para në merkato.

Partizani nga ana e saj ka paguar 60 mijë euro për kartonin e Alfred Mensah tek Skënderbeu. E ndërsa po diskutohet se mund të pagujë edhe 60 mijë për Marcelino Preken të Bylis. Tirana ditën e djeshme po ashtu derdhi 60 mijë euro në arkat e Skënderbeut për kartonin e Elvi Berishës. Pra vetëm 120 mijë euro të harxhuara nga ekipet e Superiores në këtë merkato që ende nuk ka përfunduar zyrtarisht.

Shifra shumë të varfëra që tregon edhe njëherë që kampionati shqiptar nuk ka mundësitë financiare për të konkurruar qoftë edhe në rajon. Kjo edhe një “sëmundje” e vjetër e futbollit shqiptar, ku kontratat e futbollistëve kanë qenë vetëm 1-vjeçare dhe pjesa dërrmuese e futbollistëve janë larguar gjithmonë falas nga ekipet. Duke krijuar kështu një “gropë” në financat e çdo klubi në Superiore.
Endri ÇINARI