Taulant Seferi e mbajti premtimin e tij, që në prezantimin e tij ai deklaroi se kishte mbërritur në Tiranë për të fituar titullin me bardheblutë dhe tani mund t’i gëzohet atij.

Sulmuesi i kampionëve të saposhpallur të Shqipërisë, në një intervistë për “Sport News” në “News 24” ka folur për sezonin e tij, për mënyrën se arriti të bëhej protagonisti kryresor i këtij titulli, por edhe për të ardhmen. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, Seferi ka zbuluar se për momentin nuk di ende nëse do të qëndrojë apo jo te Tirana për Kupat e Europës.

“Është e vërtetë që në fillim kur erdha, shumë njerëz nuk kanë besuar dhe kanë thënë jo Seferi ka bërë hapa mbrapa, jo ashtu, jo kështu. Por unë kam parë punën time dhe për çdo futbollist në një ambient të ri, fillimet janë të vështira. Ka, tani mora titullin siç kam thënë që në intervistën e parë te ju që kam ardhur të marr titull kampion dhe të ik si fitues dhe është gjë e bukur.

Në derbi pastaj nuk kisha shënuar kundër Partizanit më parë por ishte e bukur se fituam derbin, titullin dhe bëra gol dhe ishte një film me fundin e lumtur, ndaj jam shumë i lumtur.

Që në fillim kur kam ardhur kam besuar dhe kam ardhur me besimin për të fituar titullin. Faleminderit Zotit që na mundësoi të fitonim se është gjë e madhe, se është angazhim i madh i stafit, klubit, lojtarëve, është rrugë e gjatë dhe kur shpërblehet me titull është gjë shumë e bukur.

Titulli në derbi është më e bukur se kemi kënaqur tifozët. Kam marrë shumë mesazhe që më mirë të fitoj me Partizanin se titullin. Ne i fituam të dyja, është gjë madhe për Tiranën, njerëzit që e mbështetin Tiranën dhe për qytetin.

Tifozët? Në fillim ishte e vështirë për t’u përshtatur dhe kishin dyshimet e tyre, por tani janë marrëdhënie të mira dhe duhet t’iu falënderoj se kemi mbështetje të madhe dhe na japin shumë respekt kur i takojmë.

Çfarë ndryshoi nga viti i kaluar? Ndryshoi të them të drejtën stafi i Tiranës që duhet të falënderoj shumë trajnerin dhe punonjësit, edhe drejtorin gjithashtu. Por kanë ndryshuar edhe bashkëlojtarët se jemi si një familje dhe jemi grup fantastik. Unë nuk do të kisha këto statistika pa to, e them pa dyshim. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj se më kanë ndihmuar, i uroj gjithsecilit të gjitha të mirat

Premio për golat? Nuk kanë munguar premio e bonuse nga klubi. Por e kam një bonus nëse arrij një shifër. Do ta ndjek deri në fund, shpresoj që ta arrij.

Trofeu i golashënuesit? E kam thënë edhe më herët, titullin kryesor që kam dashur për të arritur, e kam arritur. Kanë mbetur edhe dy ndeshje, që do të bëj maksimumin për ekipin. Si e tha trajneri, shokët luajnë për mua dhe jam falënderues. Por në fund kushdo të shpallet nuk e lodh shumë veten, do jem profesionist deri në fund dhe të ndodhë çfarë të ndodhë.

Me Xhixhën e keni parë edhe në fushë se kemi kiminë e bashkëpunimin dhe është diçka e bukur. Xhixha ma ka bërë më të lehtë punën dhe unë atij, bashkëpunim reciprok. Jam i lumtur për të se ka bërë një sezon të mirë, kemi ecur mirë bashkë dhe kemi statistika të mira dhe shpresojmë të vazhdojë kështu.

E ardhmja? Kur erdha në fillim te Tirana, kam thënë se kam ardhur të ndihmoj Tiranën e ajo mua, shpresoj që nëse vjen diçka e bukur me ndihmën e Tiranës ta realizojmë, se kampionati shqiptar është një trampolinë shumë e bukur për të ardhmen e shpresojmë të ndodhë.

Vlera 1,5 milion euro? Presidenti e tha mirë që shohim lojtarë me shifra gjigande e kampionati shqiptar i meriton shifra kaq të mëdha se nuk është aq i dobët sa mendojë njerëzit. Duhet rritur vlera dhe marketingu i kampionati ndaj presidenti ka folur mirë ashtu siç ka bërë.

Presion nuk ka, por nëse do të vijë ndonjë ofertë, presidenti është mirëkuptues dhe ka dëshirë të bashkëpunojë. Do të bisedojmë, pse jo.

Dëshirë konkrete nuk kam, por hapi i radhës do jetë në një ekip që të kem minuta sa më shumë, të luaj shumë. Jo të bëj një hap shumë të madh që nuk do të jetë i mirë për mua, ndaj do mendoj mirë dhe të bëj hapin siç duhet.

Rrezikun nuk e mendoj asnjëherë. E kam thënë që edhe nëse vjen diçka para Europës, patjetër, pse të mos bëhet. Nëse nuk vjen, do luaj se është reklamë e mirë për futbollistët. Dua të provoj veten në Europë. Po ika, mirë, edhe po ndenja nuk është keq se do luajmë kualifikueset e Champions, do luajmë me kundërshtarë të fortë e do të jetë mjaft interesante.

Ftesa për Kombëtare? Çdo futbollist ka dëshirë të jetë pjesë e kombëtares. Edhe unë me shumë dëshirë e pres ftesën, por lojtarët i zgjedh trajneri. Edhe nëse jo, do jem prapë mirënjohës. Trajneri Reja më ka marrë edhe kur nuk kisha minuta te Jang Bojz më ka aktivizuar dhe i jam falënderues. Se sa herë që humbja besimin më jepte, më thërriste në kombëtare, më ka aktivizuar nga fillimi ndaj Lituanisë, ndaj dua ta falënderoj se ka bërë shumë për mua. Edhe nëse nuk më thërret, do të jem shumë mirëkuptues. Njerëzit e shohin që kur të merr kombëtarja je i përzgjedhur, të shohin klubet. Po më ftuan do jem shumë i lumtur, por e thashë që po nuk u ftova, do të vazhdoj punën që të më ftojë në grumbullimin e radhës.

Ndeshja më e bukur me Tiranën? Derbi që e kishim me Partizanin padyshim se fituam titull, derbin, gëzuam tifozët dhe bëra gol. Në një vit e gjysmë këtu, kjo ishte ndeshja më e bukur.

Goli më i bukur? Ky goli i fundit me Vllazninë që bëra tani dhe më pëlqen më shumë.

Për sa do të shkoja te Partizani? Ne jemi profesionistë por nuk besoj se në Shqipëri do të luaja me ekip tjetër përpos Tiranës. Partizani është klub i madh por Tirana është diçka më e veçantë se të gjithë në Shqipëri, është emër i madh dhe histori. Përveç tyre nuk do të jetë tjetër në Shqipëri. Para se të vija, kishte pak probleme Tirana me merkaton dhe ka pasur telefonata me Partizanin. Por i thashë do i rri besnik Tiranës se i kam dhënë fjalën, i qëndrova besnik, ka qenë hapi i duhur, faleminderit Zotit dhe jam i lumtur për zgjedhjen.

Oferta? Interesime ka, më ka thënë klubi. Por me mua nuk ka folur asnjë klub, me këtë merret menaxheri, klubi. Po erdhi diçka, erdhi”, tha ndër të tjera Seferi.