Vllaznia ka vijuar të stërvitet dhe skuadra shkodrane tashmë ka hyrë në momentet e fundit të fazës përgatitore në Austri, që do të mbyllet me miqësoren e sotme. Deri më tani, skuadra shkodrane ka zyrtarizuar afrimin e Lorik Boshnjakut, Kaina Nunesh, Dajan Shehit, Kristijan Vulajt, Marko Juriç dhe Herald Markut.

Të gjitha këto janë afrime, pasi largimeve të ardhura nga Fallou Diagne, Ardit Krymi, Mickael Panos, Zinedin Mustedanagiç, Victor Da Silva, Fahrudin Gjurgjeviç, Abdurraman Fangaj, Uhejd Hoxha dhe Mevlan Adili.

Shkodranët kanë një kontigjent prej 25-30 futbollistësh, ndërsa klubi synon që krahas skuadrës së parë, të ndërtojë edhe një ekip U-21 solid dhe me synime madhore, ashtu si në dy sezonet e mëparshme.

Ndërkohë, Vllaznia ka një numër të madh futbollistësh të huaj në gjirin e vet, duke nisur që me Zogoviç, Bulatoviç, Juriç dhe Heriç në mbrojtje dhe mesfushë, por edhe si Aralica dhe Kaina Nunesh në sulm.

Tashmë, mbetet për t’u parë se si do të jetë Vllaznia e sezonit 2022-2023, që është ndërtuar me kujdes nga ana e drejtuesve shkodranë.

Në klub janë me “këmbë në tokë” dhe sa i përket skuadrës, ndeshjeve europiane dhe sezonit të ri, janë duke punuar pa eufori, teksa po kërkohet qetësi. Një strategji që mund të rezultojë efikase në ndeshjen e parë ndaj Universitatea Kraiova në “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI