Kastrioti-Vllaznia do jetë ndeshja e javës së 18-të, takim që edhe mbyll fazën e dytë dhe gjysmën e parë të kampionatit për të dy skuadrat.

Dy ekipe me objektiva të kundërt, ku shkodranët luajnë për vendet e para të renditjes e ndërsa krutanët për të mbijetuar. Por kjo është edhe një sfidë që mban një numër të madh “ish-ësh”.

Kështu tek Kastrioti spikat zëvendës kapiteni, Abaz Karakaçi. Ish-futbollist i Vllaznisë dhe një produkt i akademisë kuqeblu. I njëjti diskutim edhe për Edon Hasanin. I cili debutoi në një moshë fare të re me shkodranët në Superligë, e sot përfaqëson skuadrën krutane në kampionatin tonë.

Silvio Zogaj kaloi dy sezone tek Vllaznia përpara se te kalonte tek Teuta. E ndërsa në merkaton e janarit u transferua tek Kastrioti.

Kaina Nunez u afrua me bujë tek Vllaznia në merkaton e verës, madje realizoi një supergol në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Laçit. Edhe ai në janar kaloi nga Vllaznia tek krutanët.

Një “ish” është edhe Enes Isufi. Mbrojtësi shkodran nuk do jetë pjesë e sfidës pasi vuan nga një dëmtim i rëndë. Pra 5 futbollistë të Kastriotit që në të shkuarën kanë veshur fanellën kuqeblu. Ndërsa tek shkodranët nuk ka asnjë futbollist që në të shkuarën të ketë përfaqësuar skuadrën e Kastriotit.

Endri ÇINARI