Tërbuni i Pukës i ka bërë një start shumë pozitiv kampionatit në Kategorinë e Parë. Pukjanët tashmë të drejtuar nga një figurë e njohur e futbollit shkodran dhe atij shqiptar si Elvin Beqiri nuk njohin asnjë humbje në 5 ndeshjet e para. Fakt ky që shoqërohet edhe me renditjen në tabelë.

Tërbuni ndodhet në vendin e 5-të të renditjes me 9 pikë. 1 më pak se Shkumbini i vendit të dytë, vend që të dërgon në Superligë direkt sezonin tjetër.

Por, ajo që bie në sy tek pukjanët në këto javë është se ata nuk kanë pësuar asnjë gol në 5 ndeshjet e para. Asnjë ekip shqiptar në Superligë apo Kategorinë e Parë nuk ka arritur ta mbajë portën e paprekur në 5 javët e para.

Edhe takimi i fundit i zhvilluar në Pukë kundër Shkumbinit ka përfunduar në shifrat e bardha 0-0. Duket se Beqiri si një ish-mbrojtës i suksesshëm me Vllazninë, por edhe kombëtaren shqiptare ka ndërtuar një “bunker” të pathyeshëm tek Tërbuni. Së bashku me ndihmësin e tij, Alert Alcani i cili ka qenë edhe ai një mbrojtës, kanë dhuruar shumë nga eksperienca e tyre e çmuar.

Një kritikë për ekipin e Beqirit është se ka shënuar me “pikatore. Vetëm 2 janë golat e pukjanëve deri në këto momente. 2 gola që kanë dhënë 6 pikë shumë të rëndësishme. Por, nëse nuk pëson gol me siguri që të paktën nuk do humbasësh. Dhe në futboll e rëndësishme është që të paktën mos të pësosh disfata.
Endri ÇINARI