I pari doli në finalen e Kupës së Gjermanisë por nuk arriti ta fitonte atë. I dyti mendoi dhe dëshironte të kishte një fat më të mirë sesa i vëllai i vogël, por as ai nuk ia doli të fitonte kupën e Kosovës ndonëse doli edhe ai në finale.

Bëhet fjalë për dy volejbollistët shkodranë, vëllezërit Nikolin dhe Anton Qafarena.

Siç kemi bërë të ditur, Antoni ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e tij duke kaluar në Bundesligën gjermane, aty ku ishte shumë pranë fitores së kupës të këtij vendi por në finale nuk ia doli.

Vëllai tjetër- Nikolini, në janar la Vllazninë dhe kaloi në Kosovë tek ekipi i Pejës. Me të siguroi finalen e kupës ku u ndesh ndaj ekipit Luboten të Ferizajt.

Ky i fundit duke luajtur edhe në fushën e tij, është treguar më i saktë duke fituar 3-0 dhe duke u shpallur fitues i këtij trofeu.

Ndeshja në fakt ka patur rivalitet dhe këtë e tregojnë rezultatet e tre seteve, 27-25, 25-22 dhe 25-22.

Nikolin Qafarena u përpoq me përvojën e tij ta ndihmonte ekipin e Pejës por nuk ia doli. Megjithatë volejbollisti shkodran dhe ekipi i tij kanë mundësinë që të fitojnë një tjetër trofe në Kosovë, madje atë më të rëndësishmin, titullin kampion.

Dhe për koinçidencë, sipas shortit në gjysmëfinale, Peja është ndeshur përsëri me Luboten. Ndeshja e parë e luajtur në Ferizaj është fituar nga skuadra e Qafarenës me rezultatin 3-1.

Ndërkohë sonte, luhet ndeshja e dytë në Pejë dhe me shumë siguri vendasit do të fitojnë duke siguruar kështu daljen në finalen e kampionatit.
© shkodrasport.com