Vllaznia dhe Kastrioti do të përballen pasditën e së hënës, duke filluar nga ora 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, për javën e 27-të të Abissnet Superiore.

Në fakt, Vllaznia ka një fat të madh, sepse kudo ku luan si në “Loro Boriçi”, si në transfertat jashtë Shkodrës shoqërohet nga tifozë të shumtë, që e mbështesin gjatë të gjithë ndeshjes në tribunat e stadiumeve përkatëse.

Megjithatë, ndërmjet këtij entuziasmi që kanë shkodranët për skuadrën e qytetit të tyre, ka edhe pretendime nga grupime tifozësh, sipas të cilëve çmimet e biletave mund të ishin më të ulëta. Madje, një gjë e tillë shikohet si jo pak e rëndësishme, pasi ndikojnë jo pak në mbështetjen e skuadrës para dhe gjatë ndeshjes.

Shqetësimi për një fenomen të tillë përcillet prej ditës së sotme nga tifozë të shumtë shkodranë, të cilët ndihen të prekur dhe ofenduar në këtë rast nga çmimi i biletave, sidomos në tribunën përballë, pikërisht në tribunën D. Për këtë rast ndër të tjera, ato kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e mediave shkodrane në lidhje me sensibilizimin e uljes së çmimit të biletave.

Konkretisht, nisur edhe nga njoftimi që vetë Vllaznia ka bërë për publikun, çmimet e biletave për të ndjekur live këtë ndeshje variojnë nga 1500 në tribunën VIP, për të vijuar sipas tribunave përkatëse, nga 1000 lekë, 500 dhe 200 lekë të të reja, ndërkohë që për femra, hyrja është e lirë.

Megjithatë, tifozët e Vllaznisë nuk do të kursejnë asgjë për të qenë të pranishëm në shkallët e stadiumit për të mbështetur live skuadrën e zemrës. Tifozëria shkodrane do të vijojë të ndjekë Vllazninë në të gjitha ndeshjet, duke e mbështetur skuadrën e zemrës me qytetarinë e saj, që e karakterizon duke qenë shembull në tribunat e stadiumeve.
Maringlen ZHIVANI