Klubi i Petrokub Hinçesti mori një rezultat befasues në Shqipëri, duke mundur Laçin me shifrat 1-4 në stadiumin “Elbasan Arena”. Mediat moldave i kanë bërë jehonë kualifikimit të Petrokubit, që tashmë do të luajë në turin e tretë të Conference League kundër Fehervarit.
Një nga protagonistët absolut të suksesit ndaj Laçit, ishte kapiteni dhe njëkohësisht sulmuesi kryesor i ekipit, Vladimir Ambros, i cili shënoi dy gola në portën e Mario Dajsinanit. Kështu, sipas tij, rastet e shumta të humbura në ndeshjen e parë, e kishin futur skuadrën në një ngërç psikologjik. Kapiteni Ambros u shpreh i lumtur për këtë kualifikim, ndërsa theksoi se morën një rezultat shumë beafasues.
“Jam shumë i lumtur për dy golat e shënuar, në një ndeshje që ishte shumë e lodhshme për ne. Ne morëm një rezultat befasues dhe këto emocione nuk mund të përshkruhen lehtë. Laçi ishte një rival i fortë, por ne treguam në fushë se merituam gjithçka. Kishim shumë raste që në pjesën e parë, por nuk kishim fat.
Goditëm shtyllën dhe pastaj unë bëra një gabim, sepse humba një rast të pastër. Mendova se goli nuk do të vinte kurrë, por Zoti ishte me ne. Shënuam katër herë dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme. Jemi si në ëndërr, por tashmë vjen më e vështira për ne”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Petrokub Hinçesti, Vladimir Ambros.
Ndërkohë, trajneri i këtij ekipi, Alexei Savinov, tregoi se çfarë u tha futbollistëve të tij në pushim. Trajneri Savinov u shpreh se u përpoq shumë të qetësojë futbollistët e tij, ku ia arriti qëllimit, ndërsa theksoi se ndaj Laçit ishte një fitore shumë e merituar.
“E pësuam nga një kundërsulm dhe në momentin tonë më të mirë. U përpoqa të qetësoja djemtë në pushimin e pjesës së parë. U thashë që duhej të mos nxitoheshin, sepse goli do të vinte. Kështu ndodhi dhe ajo fitore ishte shumë e merituar”,-tha në prononcimin e tij, trajneri i Petrokub Hinçestit, Alexei Savinov.
Maringlen ZHIVANI