Të enjten pasdite në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të luhet finalja e parë e kampionatit kombëtar të volejbollit për të reja, ajo në mes dy skuadrave finaliste, Vllaznisë dhe Tiranës.

Ekipi shkodran pas një ecurie shumë të mirë deri më tani në kampionat, kërkon ta kurorëzojë me sukses këtë kampionat.

Trajnerja Ana Gjelaj, në një prononcim për “Shkodra Sport” shpreh emocionet e saj si po e pret këtë finale dhe po ashtu u bën thirrje edhe sportdashësve për t’I mbështetur këto vajza.

“Kjo është një finale që e presim me shumë interes sepse duam t’i bëjmë një mbyllej si duhet këtij kampionati që ka thënë thuajse perfekt për ekipin tonë.

Megjithatë Vllaznia- Tirana është një derbi edhe në volejboll dhe duhet të bëjmë shumë kujdes.

Vërtetë gjatë këtij kampionati jemi ndeshur dy herë me këtë ekip dhe e kemi mundur dy herë nga 3-0, sërish finalja është tjetër gjë dhe ne po e përgatisim si duhet.

Unë si trajnere po e përjetoj me shumë emocione ecurinë e këtij ekipi. Do të doja që më mirë të isha në fushë duke luajtur sesa në pankinë sepse përgjegjësia këtu është më e madhe.

Gjithsesi, shpresojmë ta kurorëzojmë me sukses gjithë punën e këtyre vajzave. Unë dua t’u kujtoj të gjithë sportdashësve se kemi nevojë për mbështetjen e tyre.

Megjithëse, me përjashtim të ndeshjeve të ekipit të basketbollit të të rriturve, nuk kam parë të mbushet pallati i sportit më shumë në raste të tjera përveçse në ndeshjet e ekipit tonë.

Besoj se do t’i kënaqim dhe në fund do të gëzojmë të gjithë”- ka thënë ajo. Turi final I këtij kampionati do ketë dy ndeshje, e para do të zhvillohet të enjten në Shkodër dhe e dyta në Tiranë të dielën.

Kampione do të jetë skuadra që do të grumbullojë më shumë sete dhe po të jetë e nevojshme më shumë pikë por Vllaznia nuk dëshiron ta lërë fatin e titullit kampion tek pikët sepse është e vendosur për ta mbyllur me fitore këtë kampionat.
www.shkodrasport.com