Lorenc Trashi kaloi gjashtë sezone të suksesshme me skuadrën e Partizanit, që u kurorëzuan me fitimin e titullit kampion në sezonin 2018-‘19. Mbrojtësi i majtë ishte një ndër pikat më të forta të skuadrës dhe arriti të fitojë dhe një fanellë në Kombëtare.

Edhe pse ka disa muaj që është larguar nga Partizani, anësori 28-vjeçar nuk mund të rrijë kurrsesi pa ndjekur me interes ishekipin e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Trashi ka folur për ecurinë e javëve të fundit të “demave”, sfidën e ardhshme kundër Vllaznisë, si dhe për titullin kampion.


Lorenc, po luftoni për titullin kampion me skuadrën tuaj, mendoni se do t’ia dilni deri në fund?

Kemi bërë një ecuri pozitive deri tani, jemi në vendin e dytë dhe normalisht që do të mundohemi që në çdo ndeshje të marrim maksimumin dhe në fund, të shikojmë në qoftë se do të arrijmë të dalim kampionë, por kam shumë besim që do t’i arrijmë objektivat.


Duke mbetur te titulli kampion, mendoni se Partizani po ashtu do t’ia dalë në fund ta fitojë?

Partizani ka bërë një kampionat shumë të mirë deri tani, mos të them perfekt, por tani është bërë më e vështirë sepse shumë ekipe janë në garë për titullin kampion. Do të jetë shumë e vështirë deri në fund dhe shoh një rivalitet shumë të fortë. Gjithsesi, kam besim që me kualitet qe ka brenda, përfshirë edhe një staf shumë të mirë, mund të arrijnë te titulli kampion.


Ecuria në ndeshjet e fundit, nuk ka qenë e mirë te Partizani. Në gjykimin tuaj, çfarë nuk po shkon siç duhet?

Tani çdo ekip ka çekuilibrat e vet sepse jo gjatë gjithë kampionatit do jesh në formë. Por, kryesisht Partizani ka bërë paraqitje të shkëlqyera dhe nuk besoj se ka diçka qe nuk shkon. Shoh thjesht një ngërç të momentit, asgjë më shumë.


Si e shihni Kategorinë Superiore këtë sezon, mund të themi se është kampionati më i fortë i viteve të fundit?

Nuk mund të them një kampionat më i fortë i viteve të fundit, sepse kam luajtur kampionat më të fortë kur kam qenë pjesë e Partizanit. Atë vit që dolëm kampionë, ka qenë kampionat më i fortë se ky, mendoj unë. E theksoj, ky është mendimi im personal. Por, mendoj që ky është një kampionat i bukur pasi janë shumë afër ekipet me pikë dhe njerëzit janë shumë kuriozë se kush do të dalë në fund kampion.

Partizani duket se do të luftojë deri në fund për titullin. Me cilën nga skuadrat rivale do të luftojë deri në finish?

Mendoj që Partizani do të jetë aty deri në fund të kampionatit. Të them të drejtën, rival të Partizanit shoh Teutën dhe Laçin.


Ndeshja e radhës, kundër Vllaznisë. Si e shihni këtë duel kundër një rivali direkt?

Një ndeshje shumë e vështirë duke parë dhe fitoren e fundit të Vllaznisë dhe kanë një moral më të lartë tani. Vllaznia ka një ekip simpatik, luajnë futboll të bukur dhe mendoj që e rëndësishme është që të zhvillohet një ndeshje e bukur, me ritëm dhe në fund, 3 pikët t’i marrë Partizani (qesh).


Solomon pritet t’ju bashkohet në Kuvajt. Mund të themi se po ribashkoheni me një mik të ngushtë?

Me Solomonin kam pas raporte të mira që kur kemi luajtur bashkë. Është një djalë i shkëlqyer dhe shpresoj t’i bashkohet ekipit sa me shpejt. Uroj të bëjë sa më mirë këtu, si dhe të na ndihmojë për titullin kampion.


Prej disa vitesh tashmë, asnjë lojtar i Partizanit nuk është grumbulluar në Kombëtare. Cila mendoni se e meritonte një ftesë nga Reja?

Shiko, kjo është një gjë shumë e thjeshtë. Unë ju siguroj që stafit të Kombëtares nuk i shpëton asnjë lojtar nga syri, qoftë ai lojtar i Partizanit apo i një ekipi tjetër, që po bën mirë dhe po luan mirë, që po ndihmon ekipin e tij e që ka rritur nivelin e lojës. Nëse ai futbollist është gati për një mundësi në Kombëtare, të siguroj që do ta ketë ftesën dhe do jetë pjesë e Kombëtares.

Unë e di dhe jam i sigurt që asnjërit nuk i hahet haku, sepse tani stafi Kombëtares monitoron çdo lojtar të Superligës dhe kam besim që shumë shpejt, do ta marrin ftesën ata lojtarë që e meritojnë dhe që ju përshtaten skemave të trajnerit. Asnjëherë nuk duhet menduar qe ne luajmë në kampionatin shqiptar dhe nuk na fton Kombëtarja. Jo, nuk është kështu! Është shumë ndryshe: puno, sakrifiko, ki durim, prit momentin dhe shfrytëzoje.

Dhe e fundit, keni ndonjë parashikim për ndeshjen Vllaznia-Partizani?

Shpresoj shumë që ta fitojë Partizani, sepse aty kam zemrën dhe çdo arritje timen e kam nga Partizani. Gjithashtu, uroj edhe të dalë kampion.