Duhej të ishte zhvilluar sot në Podgoricë një turne boksi me pjesmarrjen edhe të 3 boksierëve shkodranë por ai nuk ka shkuar ashtu si duhet. Turneu është bërë por më e çuditshmja është se dy boksierët shkodranë, Asmer Bilali dhe Kristian Demaj nuk kanë bërë ndeshje. Ka ndodhur kështu sepse kundërshtari malazez i Bilalit gjoja ka qenë me temperaturë dhe prandaj nuk është bërë e mundur dalja e tij në ring. Me shumë interes pritej edhe ballafaqimi i Kristian Demës në peshën 81 kg nga një malazezi që është kampion i Mesdheut. Për çudi ai ka lajmëruar në fund se nuk do marrë pjesë në turneun e zhvilluar sot në Podgoricë. Me të mësuar këto lajme, trajneri i ekipit kombëtar shqiptar Zef Gjoni ka protestuar ndaj organizatorëve duke shprehur zemërimin e tij dhe të boksierëve shqiptarë për trajtimin që i është bërë. Ata kishin udhëtuar që të premten drejt Podgoricës me idenë se sot do ishin në ring, por vetëm mëngjesin e sotëm kanë mësuar se për Bilalin dhe Demën nuk ka kundërshtar. Absurde në fakt të mendosh një gjë të tillë megjithatë ky është realiteti. Nga boksierët tanë, ka boksuar vetëm Bekim Vjerdha në peshën 75 kg megjithatë problemet që dolën për dy sportistët e tjerë janë të pajustifikueshme dhe natyrisht shprehin keqardhje dhe mosrespekt ashtu siç duhet nga pala malazeze për ekipin shqiptar që i ka respektuar gjithnjë.

www.shkodrasport.com