Një javë më parë Liria e Prizrenit ndali Prishtinën e vendit të parë duke e mundur me rezultatin 1-0, pikërisht me golin e shkodranit Adi Mehja. Por sot ajo ka mundur edhe Trepçe ’89, skuadrën e vendit të dytë. Madje me rezultat edhe më të thellë, 2-0. Siç bën të ditur faqja zyrtare e klubit prizrenas, dy shkodranët kanë qenë sërish ndër më të mirët në fushë ndonëse këtë herë nuk kanë shënuar. Tafili ka qenë protagonist tek goli i parë teksa ka dhënë asistin për Ramën, që e ka dërguar topin në rrjetë. Nga ana tjetër, Mehja në pjesën e dytë ka arritur të godasë traversën por pa shënuar dot. Të dy këta futbollistë kanë qenë në fushë për 90 minuta në këtë takim.

Me këtë fitore, Liria e Prizrenit vazhdon të ngjitet në renditje duke treguar se faza e parë ka qenë e rastësishme në atë gjendje. Fakti që ka mundur dy skuadrat e vendit të parë njëra pas tjetrës, tregon se kjo skuadër ka shumë forca. Sidomos me shkuarjen e dy futbollistëve shkodranë Alsid Tafili dhe Adi Mehja. Nga ana tjetër, në formacionin e Trepçe ’89 kanë luajtur sot titullar për 90 minuta edhe dy ish-futbollistët e Vllaznisë, Ilir Nallbani dhe Liridon Kukaj por pa mundur dot ta ndihmojnë skuadrën e tyre për të marrë qoftë edhe një pikë të vetme.

www.shkodrasport.com