Dritmir Beci konfirmoi ditën e djeshme që nuk do jetë pjesë e Erzenit në sezonin e ri. Mbrojtësi shkodran që ishte pjesë e shijakasve në edicionin e shkuar, ku ishte një nga pikat e forta të ekipit që u ngjit në Superligë, ka mbyllur bashkëpunimin me ta.

Por duket se lëvizja e rradhës është gati për 25-vjeçarin. Sipas asaj që mëson “Shkodra Sport”, ai pritet të jetë pjesë e futbollit në Superligë. Më konkretisht është skuadra e Bylis që po këmbëngul për shtatlartin.

Ballshiotët shohin tek Beci një përforcim interesant në sezonin e ri. Dhe duke parë eksperiencat pozitive me futbollistët shkodranë, duket se Beci do jetë i rradhës që do afrohet në rradhët e mallakastriotëve.

Por interesimi është i lartë për ish-futbollistin e Burrelit edhe në Kategorinë e Parë. Disa nga skuadrat kryesore të kampionatit duan ta kenë të tyrin shkodranin. Pavarësisht se ende asgjë nuk është konfirmuar dhe merkato është ende e hapur deri në fund të gushtit, Beci shumë shpejt do zyrtarizojë ekipin e tij të rradhës.
Endri ÇINARI