Qyteti i Shkodrës ka qenë destinacioni tjetër i Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka lançuar projektin madhor dhe mjaft ambicioz “Uniforma ime” që parashikon dhënien falas të një seti me bazë materiale për çdo fëmijë në Shqipëri që luan futboll, që nga mosha U-7 në moshën U-19.

Të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm për shkodranët në veçanti, por për të gjithë qytetarët shqiptarë që përfitojnë nga ky projekt ishin të pranishëm Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, përfaqësues të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, drejtues akademish, trajnerë, si dhe prindër e fëmijë të vegjël që luajnë futboll.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Z. Arben Dervishaj lançoi për të gjithë qytetarët e Shkodrës projektin “Uniforma ime”, shumë i madh dhe mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, duke nisur nga baza që janë fëmijët.

Ndër të tjera, zv.presidenti i FSHF-së foli edhe me shifra konkrete se sa do të kushtojë ky projet në harkun kohor të një viti, ndërsa theksoi se çdo fëmijë që luan futboll do të pajiset falas me një uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

“Po lançojmë një projekt shumë të rëndësishëm “Uniforma ime”. Duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, në muajin shtator, asnjë fëmijë që luan futboll në Shqipëri nuk do të ketë nevojë të blejë uniformën, por do t’i marrë falas nga ky projekt i FSHF-së. Çantën, uniformën e lojës, uniformën e stërvitjes si dhe uniformat e përfaqësimit çdo fëmijë që luan futboll në Shqipëri do t’i ketë falas. Ka qenë kërkesë e komunitetit të futbollit dhe Federata pasi rishikoi të gjitha buxhetet, i ka kushtuar një buxhet, minimum 1 milion euro për të gjithë fëmijët që luajnë futboll në Shqipëri.

Nga ky projekt do të përfitojnë rreth 15 mijë shqiptarë, aq sa është edhe numri i fëmijëve që luajnë futboll sot, por në të ardhmen, shpresojmë që ky buxhet do të rritet sepse në strategjinë e saj, Federata ka si synim dyfishimin e futbollistëve të rinj brenda një periudhe 4-vjeçare dhe shpresojmë se ky projekt do t’i nxisë fëmijët që të vijnë dhe të luajnë në këtë lojë kaq të bukur”, – tha Dervishaj në fjalën e tij.

Kapitenia e ekipit kombëtar, njëkohësisht edhe futbolliste e Vllaznisë, Megi Doçi tregoi për të gjithë fëmijët e prindërit që ishin të pranishëm në aktivitet se ky projekt do të sjellë lehtësi për prindërit dhe do t’i afrojë më shumë fëmijët me futbollin.

“Të gjithë kemi ëndërruar kur ishim të vegjël që të kishim uniforma, bazë materiale. Kemi ëndërruar që të kemi fusha cilësore, stadiume që të ndihemi krenarë kur luajmë. Fëmijët do të jenë të më të lumtur dhe më pranë futbollit me zhvillimin e këtij projekti, një ndihmë shumë e madhe që do t’u jepet atyre. Ne jemi rritur në vështirësi, mundësitë ekonomike kanë qenë shumë të vështira. Besoj që në vazhdimësi edhe prindërit do ta kenë më të lehtë. Jam besimplotë që do shoh edhe shumë vajza në futboll përmes zhvillimit të këtij projekti”, – tha Doçi.

Drejtuesi i Akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani u shpreh në fjalën e tij se baza materiale që ka qenë një problem i madh për të gjithë akademitë, tashmë nuk do të jetë më falë këtij projekti kaq ambicioz të ndërmarrë nga FSHF-ja.

“Ky është një nga projektet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit. Jo vetëm Akademia Vllaznia, por çdo akademi tjetër kemi pasur probleme të mëdha për bazën materiale. Shkodranët kanë një shprehje të bukur “Kur është buka në shpi, gjithçka është mirë”. tani për trajnerët, drejtuesit, tani kjo bukë është në shtëpi dhe na mbetet ne të punojmë fort”, – tha Hasani përpara të pranishmëve.

Edhe ish-futbollisti shkodran, Ilir Kepa i uroi suksese të gjithë prindërve e fëmijëve dhe theksoi se shpreson që përmes këtij projekti që ka iniciuar FSHF-ja dhe vëmendjen që i kushton institucioni i futbollit fëmijëve, të rritet niveli i futbollit në Shkodër.

“Në kohën tonë, kemi luajtur futboll me këpucë dhe me veshje sporti shumë modeste, por fëmijët kanë fat sot sepse Federata i kushton shumë vëmendje dhe i rrisin me kushte të mira. Nuk më mbetet asgjë tjetër për të thënë, veçse t’ju uroj mbarësi gjithë prindërve, fëmijëve dhe ta rrisim nivelin e futbollit shkodran siç ka qenë dikur në vitet 70-80-90”, – tha Kepa.

Në këtë ceremoni mbajti një fjalë përshëndetëse edhe prindi i një futbollisti të Vllaznisë U-17, i cili vlerësoi këtë projekt kaq i rëndësishëm për futbollin e fëmijëve, siç është dhënia e uniformave falas për të gjitha ata fëmijë që luajnë futboll.

“Unë si prind e vlerësoj shumë çdo ndihmë apo mbështetje sado e vogël që mund të ndihmojë çdo familje për të përballuar shpenzimet mujore të jetesës e ndërkohë duke i krijuar mundësinë fëmijëve që të ndjekin pasionin e tyre. Ju e merrni me mend se çfarë ndjen një prind i cili nuk ka mundësi t’i plotësojë dëshirat fëmijës së tij për t’u marrë me sport. Falënderoj shumë FSHF-në për mbështetjen që po i jep futbollit të fëmijëve”, – tha Rrok Dodaj, duke theksuar se projekti i Federatës “Uniforma Ime” ul kostot e familjeve që kanë fëmijë që luajnë futboll.

Ky projekt do të vijojë të prezantohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë në ditët në vijim.