Skuadra e Veleçikut ka zhvilluar takimin e parë miqësor për këtë vit, pikërisht në qytetin e Tuzit të Malit të Zi me ekipin vendas të Deçiçit. Kjo ndeshja do t’i shërbejë trajnerit Besnik Duli si test kontrolli në prag të rinisjes së fazës së dytë të kampionatit. Trajneri Duli e ka nisur ndeshjen me formacionin e aktivizuar në ndeshjen e fundit të fazës së parë, atë të fituar në Prrenjas ndaj Domosdovës vendase me rezultatin 1-0. Që në fillim, skuadra vendase është gjendur përballë një presioni të vazhdueshëm me sulmve të vendasve. Djemtë koplikas kanë rezistuar vetëm shtatë minuta pasi vendasit kalojnë në avantazh me anë të japonezit Tomisaka. Pas pësimit të këtij goli, koplikasit janë dorëzuar në të gjitha drejtimet duke dorëzuar mesfushës dhe krejt lojën. Goli i dytë është autogol i Plishtës dhe goli i tretë realizohet përsëri nga japonezi Tomisaka. Ndërkohë në pjesën e dytë ka qenë krejt tjetër histori pasi loja është më e ekuilibruar. Mbrojtësi Banushi ka rrezikuar dy herë por pa finalizuar dot. Në fragmentin e dytë, dy ekipet kanë aktivizuar edhe futbollistët e stolit. Për Veleçikun kanë luajtur edhe Kuka, Fishta, Dorzaj të rikthyer në fazën e dytë pranë tij. Kur pritej që skuadra koplikase të shënonte, ka ardhur edhe goli i katërt i Deçiçit. Pavarësisht këtij rezultati, e rëndësishme është marëdhënia shumë e mirë që ekziston mes dy skuadrave dhe për këtë arsye, në muajin shkurt, ekipi i Tuzit do të kthejë vizitën e tyre në Koplik. Në këtë ndeshje për skuadrën e Veleçikut janë dalluar mbi të tjerët Miculi dhe mbrojtësi Banushi.
Bashkim Ramekaj