Me dy gola të shënuar në 15 minutat e fundit, Veleçiku ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në “derbin” ndaj Adës duke u ngjitur tashmë në kuotën e 12 pikëve dhe ndodhet shumë pranë kreut të renditjes.

Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës është shoqëruar nga një rivalitet i fortë dhe djemtë e rinj të Adës kanë rezistuar mirë, por vetëm deri në minutën e 75-të.

Në atë moment ka qenë futbollisti Arsen Banushaj ai që do të zhbllokonte rezultatin ndërkohë që 10 minuta më pas, do të ishte rradha e Arsen Hajdarit, për të shënuar dhe mbyllur ndeshjen. Përfundimisht 2-0 për Veleçikun.

Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga trajneri Haris Lika është ngjitur në kuotën e 12 pikëve dhe ndodhet vetëm një hap larg ekipeve të Gramshit, Ilirisë dhe Elbasanit që janë më lart në renditje./SHKODRA-SPORT.COM/