Skuadra e Vllaznisë po vijon përgatitjet në Ulqin, atje ku përpos seancave stërvitore që po zhvillon, luajti ditën e djeshme edhe sfidën e parë miqësore, të cilën e fitoi 0-3.

Në fakt, klubi shkodran e ka shfrytëzuar këtë periudhë edhe në aspektin e mirëmbajtjes së stadiumit “Loro Boriçi”, teksa pak javë më parë në bashkëpunim edhe me Bashkinë Shkodër, është bërë edhe mbjellja e barit në fushën e impiantit shkodran.

Pas konsultimit me specialistë vendës dhe të huaj, drejtuesit morën këtë vendim. Tashmë, terreni nga dita në ditë është në kushte të shkëlqyera, sepse mbjellja ka nisur të japë frytet e veta. Fusha po vjen në gjendje të shkëlqyer pak nga pak.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se drejtuesit e Bashkisë, të cilët janë edhe administratorët e “Loro Boriçit”, në vitet e fundit nuk i kanë kushtuar një vëmendje të madhe infrastrukturës dhe terreneve, teksa një gjë e tillë dha edhe frytet e veta negative në fushën e një prej stadiumeve më të mira në Shqipëri.
Maringlen ZHIVANI