Ishin 8, u bënë 9. Ishin 24 u bënë 27. Ishin 0, mbeten 0. Shumëkush mbase nuk arrin të kuptojë se për çfarë e kemi fjalën, por në fakt bëhet fjalë për ecurinë e një ekipi volejbolli.

Atij të të rejave të Vllaznisë i cili është duke bërë një ecuri të shkëlqyer edhe në kampionatin e sivjetëm.

Deri sot ky ekip kishte arritur tetë fitore në tetë ndeshje të zhvilluara.

Fitoi sot në Rrëshen ndaj ekipit të Mirëditës dhe koleksionoi fitoren e nëntë. Kishte deri më sot 24 sete të fituara dhe sot iu bënë 27.

Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, ishin 0 setet e humbura në 8 ndeshjet e mëparshme dhe kjo shifër mbeti 0 edhe pas ndeshjes së 9-të të luajtur sepse edhe sot ky ekip nuk ka humbur asnjë set.

Një fitore e pastër 3-0 që tregon më së miri për dominimin absolut ndaj të gjithë kundërshtarëve të Vllaznisë së drejtuar me profesionalizëm nga trajnerët Ana Gjelaj dhe Ferdinand Bardeli.

Ndonëse është për t’u luajtur edhe plej-ofi, kjo skuadër duket se është e pathyeshme dhe do të shpallet edhe sivjet kampione e Shqipërisë për këtë grupmoshë.
© shkodrasport.com