Java e tretë e kampionatit të kategorisë së dytë ka dhuruar një sfidë interesante, atë në mes Kukësit B dhe Vllaznisë B, sfidë kjo që do të luhet në transfertë për shkodranët.

Këta të fundit i kanë bërë një nisje përgjithësisht të mirë kampionatit duke barazuar në ndeshjen e parë 1-1 ndaj Partizanit B dhe duke fituar 2-1 në sfidën e dytë ndaj Sopotit.

Ata do të kërkojnë fitoren edhe në Kukës. Zëvendëstrajneri i këtij ekipi Admir Mehja në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Objektivi i ekipit tonë është i qartë për të synuar fitoren në çdo ndeshje dhe këtë do të synojmë edhe në këtë javë.

Gjendja e ekipit është e mirë dhe për këtë arsye, do kërkojmë ta fitojmë edhe këtë ndeshje. “Vllaznia B” ka si pikësynim rikthimin në kategorinë e parë dhe për ta arritur atë, duhet patjetër të grumbullojmë sa më shumë pikë, para çdo kundërshtari”.

Mbetet për t’u parë edhe se cilët do të jenë elementët që do të vijnë nga ekipi i parë për këtë sfidë. Kuqeblutë e trajnerit Kraja patjetër që do të kërkojnë të kthehen me tre pikë nga Kukësi këtë të dielë.
© shkodrasport.com