Vllaznia e vajzave ka thyer çdo rekord në Shqipëri, por sezonin e fundit regjistroi një arritje historike për futbollin shqiptar. Skuadra kampione arriti të kalojë turet kualifikuese, duke u kualifikuar kështu në fazën e grupeve të UEFA Women Champions League mes 16 klubeve më të mira të kontinentit.
Një sukses ndoshta i pabesueshëm, por që erdhi gradualisht si pasojë e punës së mirë të bërë nga klubin shkodran, por edhe falë mbështetjes së madhe që Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë dhe jep për zhvillimin e futbollit të vajzave.
Për këtë arsye një çmim i veçantë në mbrëmjen gala të FSHF-së “Më të Mirët 2022” ka shkuar pikërisht për Vllazninë e vajzave me motivacionin “si promotore e jashtëzakonshme në rritjen e cilësisë sportive në futbollin e femrave në Shqipëri dhe për arritjen në fazën e grupeve në UEFA Women Champions League 2022-2023, rezultat i paimagjinuar më parë”. Në fazën e grupeve Vllaznia u përball me klube si Real Madrid, Chelsea dhe Paris Saint Germain, superfuqi për futbollin e vajzave në Europë.
Moderatorët e mbrëmjes kanë ftuar në skenë të gjithë ekipin e Vllaznisë dhe drejtuesit për të marrë çmimin “Pllakatë” të FSHF-së, që i është dorëzuar pikërisht nga Presidenti Duka, i cili ka falënderuar ekipin kuqeblu që ka bërë krenar të gjithë me arritjet e jashtëzakonshme në Shqipëri dhe tashmë edhe në Europë.
Presidenti i FSHF-së shprehu besimin që ky sukses të pasohet nga të tjera arritje, që do të ishin padiskutim të merituara për këto vajza dhe këtë klub që prej vitesh kanë bërë një punë të mrekullueshme. “Urimet më të përzemërta për të gjitha ju! Jeni burim frymëzimi dhe krenaria për ne dhe çdo vajzë që dëshiron të ndjekë rrugën magjike të futbollit”, – tha Presidenti Duka.