Vllaznia në futboll për femra është shpallur fituese e turnout ballkanik të zhvilluar për tre ditë me rradhë në Aleksandropoulis të Greqisë me pjesmarrjen e katër ekipeve, ndër të cilat edhe ato kampione të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe skuadra e qytetit organizator. Ky turne, I cili është organizuar nga Bashkia e qytetit të Aleksandropoulisit në bashkëpunim me Federatën greke të futbollit si dhe me aprovimin e FIFA-s dhe UEFA-s, ka shënuar dominimin e vajzave kampione të Shqipërisë.

Ato I kanë fituar të tre ndeshjet e luajtura, duke treguar se në Rajonin tonë janë më të mirat. Ndeshjen e parë ata e kanë zhvilluar ndaj kampiones së Maqedonisë dhe me të kanë fituar me rezultatin e thellë 6 me 1. Për vajzat kuqeblu kanë shënuar Franja, Gjini, Maliqi, Bajraktari dhe Gruda dy gola. Një ditë më pas, Vllaznia e femrave është ndeshur me ekipin kampion të Malit të Zi, Breznica dhe ka fituar me rezultatin 1-0 ku golin e fitores e ka shënuar lojtarja më e mirë e saj Megi Doçi. Ndërkohë paraditen e së dielës, është zhvilluar edhe ndeshja e tretë dhe e fundit e këtij turneu, ku përballë vajzave shkodrane ka qenë ekipi grek Thrace. Kampionet e Shqipërisë kanë fituar me rezultatin e thellë 7-0 duke e mbyllur këtë turne në vendin e parë me pikë të plota- 9 falë tre fitoreve të arritura dhe me golaverazhin prej 14 golash të shënuardhe vetëm 1 të pësuar. Një meritë për të sukses kanë të gjitha vajzat e ekipit, trajnerët Nikolin Leka e Ilir Dibra dhe në veçanti presidenti Lazer Matija që shënon një tjetër sukses me këtë ekip, tashmë edhe në arenën ndërkombëtare. Në fund të aktivitetit, organizatorët kanë shpërndarë kupa për të gjithë ekipet pjesmarrëse por sigurisht që momenti më interesant ka qenë ai kur përfaqësuesi I bashkisë së qytetit ku u organizua ky turne, I ka dorëzuar kupën e ekipit fitues, kapitenes së Vllaznisë Uendi Muja. Pas kësaj, ka shpërthyer festa në kampin shkodran sepse në fakt këto vajza kanë merituar gjithçka duke treguar edhe njëherë tjetër se janë ndër më të mirat në Ballkan dhe do të tentojnë të bëjnë një paraqitje sa më të mirë edhe në ndeshjet e Ligës së Kampioneve që do të zhvillohen në gusht.

© shkodrasport.com

 

https://www.youtube.com/watch?v=zRzqSpjku5o&app=desktop