Vllaznia në futboll për femra vijon përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kampioneve që do të zhvillohen muajin e ardhshëm dhe pas periudhës së stërvitjes me ngarkesa fizike, tashmë i ka ardhur momenti për të luajtur edhe disa ndeshje miqësore.

E para është rregulluar tashmë dhe në fakt do të jetë një test shumë i rëndësishëm për të. Vajzat e drejtuara nga trajneri Nikolin Leka do të kenë përballë ekipin e Mitrovicës që është kampion në fuqi i Kosovës dhe njëkohësisht, edhe ai është pjesmarrës në Ligën e Kampioneve.

Ndeshja do të luhet pasditen e së enjtes në orën 17.30 në fushën e kompleksit “Hasaj” në Golem. Kjo përballje do t’u shërbejë të dy ekipeve për të parë gjendjen e tyre rreth dy javë para nisjes së takimeve zyrtare për kompeticionin e rëndësishëm europian ku do të marrin pjesë.

Tek Vllaznia miqësorja me Mitrovicën do t’i shërbejë stafit teknik për të parë gjendjen e të gjithë futbollisteve dhe veçanërisht të lojtareve të ardhura së fundmi.

Ky takim do të shënojë edhe debutimin e portieres maqedonase Viktoria Pankurova me ekipin shkodran. Ai konsiderohet një përforcim i rëndësishëm por gjithsesi duhet parë sesi do të ambjentohet me pjesën tjetër të skuadrës.

Vllaznia ka objektiv kalimin e turit të parë të Ligës së Kampioneve, paçka se nuk do të jetë e lehtë përballë ekipeve kampione të Bosnjës, Estonisë dhe Moldavisë.

Takimet e grupit 8 ku merr edhe kampionia e Shqipërisë do t’i zhvillojë ndeshjet në datat 7 deri më 13 gusht në Sarajevë dhe pritet të ketë shumë rivalitet për vendin e parë në grup në mes Vllaznisë, Sarajevos dhe kampiones së Estonisë, Paru.

Ndërkohë pas miqësores me Mitrovicën, ekipi shkodran do të zhvillojë edhe 2-3 miqësore të tjera që do të shërbejnë për kolaudiumin e ekipit pikërisht përpara këtyre ndeshjeve të rëndësishme.

www.shkodrasport.com