Me 4 pikë diferencë e ka humbur miqësoren e dytë ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, atë të luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Këtë herë përballë tij ka qenë ekipi Bashkimi i Prizrenit që merr pjesë në Ligën Ballkanike dhe në rradhët e të cilit luanin disa basketbollistë të huaj. Ndërkohë, skuadra shkodrane ka qenë e përbërë vetëm nga lojtarë vendas, madje në rradhët e tyre ka munguar edhe Arra. Me përjashtim të periodës së parë në të cilën kanë shënuar vetëm 6 pikë, në tre të tjerat basketbollistët shkodranë kanë luajtur shumë mirë, madje në fund të takimit edhe mund të kishin fituar megjithatë mungesa e përvojës ka bërë që të triumfojë kundërshtari.

Rezultati përfundimtar i takimit ka qenë 69 me 65 për kosovarët. trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj, në prononcimin e tij pas ndeshjes është shprehur  i kënaqur me lojën e zhvilluar nga ekipi i tij. “Do të thoja se kemi bërë një ndeshje të mirë duke ditur edhe nivelin e kundërshtarit. Dihet përbërja jonë me lojtarë kryesisht të rinj ku do të veçoja sidomos Rakajn që ndoshta ishte më i miri në këtë takim por nuk mund të mbeteshin pas edhe Faslija, Berdica, Ndoja, Lekndreaj, Bekteshi por edhe të rinjtë e tjerë që luajtën. Dihet se kaq janë mundësitë tona. E rëndësishme është të tregojmë progres nga ndeshja në ndeshje”.
Vllaznia- Bashkimi Prizren 65-69
(6-13, 15-20, 22-16, 22-20)
Vllaznia: Tinaj, Bekteshi, Rrashketa, Shabani, Ndoja, Selimaj, Taraboshi, Rakaj, Do. Lekndreaj, Faslija, Da.Lekndreaj.Tr: Bledar Gjeçaj
Bashkimi: Tahiri, Sinani, Popoviç, Lewis, Tmusiç, Rekaj, Kryeziu, Djokoviç, Biraj, Memçaj. Tr:Dragan Radoviç
Gjyqtarë: Hans Trajer, Saimir Tafilica, Jetmir Gokaj
© shkodrasport.com