Vllaznia ka gjetur fajtorët e dështimit të sezonit të kaluar. Mesa duket, janë të huajt. Shkodranët u kanë bërë “dalje” pothuajse të gjithë futbollistëve nga vendet e tjera që kanë pasur në skuadër përgjatë vitit që sapo lamë pas, duke mbajtur vetëm golashënuesin e skuadrës, kroatin Ante Aralica, mesfushorin Elvedin Heriç dhe dyshen malazeze të prapavijës, gardianin Bojan Zogoviç dhe mbrojtësin Darko Bulatoviç.

Në fakt, nuk bëhet fjalë për pak, por plot pesë futbollistë, mes të cilëve disa titullarë dhe të tjerë që nuk patën shumë hapësira. Kështu, bëhet fjalë për Fallou Diagne, Mickael Panos, Zinedin Mustedanagiç, Victor Da Silva dhe Fahrudin Gjurgjeviç.

Të vetmit që arritën të qëndrojnë në Shkodër edhe për këtë sezon, janë sulmuesi Ante Aralica, mesfushori Elvedin Heriç dhe po ashtu edhe dyshja malazeze e prapavijës, gardiani Bojan Zogoviç dhe mbrojtësi Darko Bulatoviç. Katër të huajt e mbetur ishin edhe një dëshirë e trajnerit Mirel Josa për t’i mbajtur në ekip, duke parë paraqitjet e tyre sezonin e kaluar dhe pritshmëritë që trajneri kryeqytetas ka për ta këtë sezon.

Megjithatë, largimeve nuk u kanë shpëtuar as shqiptarët, me listën që vijon të jetë e gjatë. Kështu, nisi me mesfushorin shkodran Ardit Krymi, që kishte planet e tij për të firmosur në Bjellorusi, për të vijuar më pas me mbrojtësin Abdurraman Fangaj dhe mesfushorin Uhejd Hoxha.

Ndërkohë, prej kohësh i larguar është edhe Mevlan Adili, pasi i përfundoi kontrata dhe nuk pati më pas një rinovim të saj. Për të mos llogaritur këtu edhe mbrojtësin senegalez, Fallou Diagne, që e mbylli me klubin ende pa përfunduar sezoni.

Në njëfarë mënyre është bërë një reformë e thellë për këtë vit, pasi në total numri i të larguarve nga sezoni i kaluar shkon në 9, ku një pjesë e mirë kanë qenë edhe titullarë. Disa u ndanë me klubin pa ardhur trajneri Mirel Josa në skuadër, siç ishte rasti i Diagne apo edhe i Panos.

Duke parë gjithë këto largime, shpresat e klubit kanë mbetur te merkatoja, ku edhe pse deri më tani janë afruar gjashtë futbollistë, sërish në klub pas ndeshjeve europiane, mendojnë se ka nevojë për disa ndërhyrje të tjera, pasi mungojnë alternativat.

Ndërkohë, sytë janë hedhur edhe te moshat e klubit, aty ku Josa po përpiqet të përzgjedhë elementë që do të ndihmonin shumë skuadrën për këtë sezon.
Maringlen ZHIVANI