Prej ditësh, Vllaznia ka nisur punën për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa. Stafi teknik ka qenë i kushtëzuar në punën e tij në seancat e para, pasi ekipi ka mangësi në disa reparte.

Megjithatë, burime të “Shkodra Sport” mësojnë se puna për përforcimin e skuadrës është në pikën kulminante. Drejtuesit e klubit, në sinkron me trajnerin Josa dhe stafin teknik, i kanë piketuar afrimet e mundshme dhe prej kohësh janë në bisedime me disa futbollistë.

“Shkodra Sport”, nga burime pranë kuqebluve dhe futbollistëve, ka mësuar se Vllaznia dëshiron t’i “rrëmbejë” Partizanit, njërin prej dy mesfushorëve, Herald Markun ose Valentino Muratajn.

Për Markun, do të ishte një kthim në familjen kuqeblu, pasi ai ka spikatur kur ka qenë pjesë e Vllaznisë. Megjithatë, problem mbetet kontrata e tij që ka me Partizanin, teksa ka edhe një vit tjetër për të përmbushur, por nëse nuk do ketë hapësira për të, ai do kërkojë të largohet.

Ndërkohë, nga ana tjetër është edhe Valentino Murataj, që në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Partizanit. Megjithatë, që Vllaznia të bëjë pjesë të ekipit njërin nga futbollistët e Partizanit, duhet të merret vesh me presidencën e kuqe, pasi bëhet fjalë për dy futbollistë që janë ende nën kontratë.

Murataj është një lojtar polivalent, pasi mund të bëjë disa role në mesfushë dhe është shumë i dobishëm në fazën sulmuese. Ndërkohë, Marku deri diku mund të mbushë boshllëkun që ka lënë largimi i Krymit në mesfushë.

“Shkodra Sport” mëson se drejtues të klubit shkodran kanë pasur bisedime me futbollistët e Partizanit, Marku dhe Murataj, për të gjetur rrugën e duhur për afrimin e njërit prej mesfushorëve.

Tashmë, mbetet për të parë se sa bindëse do të jenë ofertat e kuqebluve dhe cili do të jetë vendimi që do të marrë Herald Marku dhe Valentino Murataj. Poashtu, më herët, janë raportuar edhe emra të tjerë futbollistësh që kanë qenë në listën e dëshirave apo në tavolinën e bisedimeve të Vllaznisë.

Maringlen ZHIVANI