Do të nisë pas pak minutash në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshja miqësore në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Apolonisë. Të dy ekipet tashmë kanë zbritur në fushën e lojës dhe për rrjedhojë po bëhen gati për startin e këtij takimi.

Njëkohësisht është zbardhur edhe formacioni me të cilin do të luajë Vllaznia në këtë përballje ndaj kundërshtarit të parë të kampionatit të ri.

Siç vihet re, do të ketë shumë ndryshime në krahasim me miqësoret e kaluara. Kështu në portë do të jetë Qarri, mbrojtës i djathtë Lekaj, në qendër Shehi e Imami dhe në të majtë N. Hoxhaj.

Sakaq në repartin e mesfushës kanë luajtur Ramadani, U.Hoxha e Kalaja, ndërsa treshja sulmuese ka qenë e përbërë nga Mandiangu, Çoba e Dilaver.

Trajneri Brdariç ka dëshirë t’i shohë edhe këto lojtarë në një miqësore të tillë, me idenë për të parë qartë gjendjen dhe nivelin e tyre dhe në ditët në vijim pastaj do të nisë të konfigurojë edhe formacionin me të cilin pritet ta nisë kampionatin.