Ecuria e shkëlqyer në kampionat e ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë, pritet të mbyllë fazën e parë veç me suksese. Pas shtatë fitoreve të arritura deri më tani, të shtunën ndaj Skënderbeut do të synohet e teta. Pikërisht në ndeshjen ndaj Skënderbeut, e fundit e fazës së parë të kampionatit.

Do të luhet të shtunën në “Qazim Dervishi” dhe për vetë shkodranët konsiderohet një ndeshje e sikletshme sepse korçarët këtë kampionat kanë treguar rritje dhe këtë e vërtetuan me fitoren në ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit pretendent.

Trajneri Kraja dhe volejbollistët e tij e kanë të qartë këtë gjë dhe e kanë vlerësuar maksimalisht këtë sfidë. Duan fitoren e tetë për ta mbyllur kësisoj fazën e parë në vendin e parë të renditjes.

Për t’i lënë vendin më pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, në të cilat edhe aty do të tentojnë fitoren e trofeut. Ekipi i sivjetëm i Vllaznisë po tregon shumë ego në fushën e lojës, një kolektivitet të shkëlqyer dhe këto janë treguesit e duhur për të fituar.
© shkodrasport.com