Vllaznia e të rejave në volejboll ka bërë një sezon shumë të mirë sivjet duke u konfirmuar edhe njëherë tjetër si një nga ekipet më të mira në vend. Ekipi i 20 vjeçarëve që drejtohet nga trajneri Ferdinand Bardeli me meritë ka fituar edhe të drejtën për të dalë në finalen e kampionatit.

Kjo pasi në dy ndeshjet gjysmëfinale ndaj Partizanit arriti të dominonte në të gjitha drejtimet ndaj këtij kundërshtari. Në ndeshjen e parë, fitoi 3-0 në Shkodër, ndërsa në të dytën fitoi 3-1 në Tiranë duke u kualifikuar në këtë mënyrë për në finale. Aty ku do të ndeshet me Dinamon.

Ndeshja e parë finale ndërkohë do të luhet këtë të dielë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, duke filluar nga ora 15.00. Ekipi kuqeblu sigurisht që do të kërkojë fitoren për t’u afruar edhe më shumë titullin kampion. Sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Volejbollit, kampion do të shpallet ai ekip që fiton dy ndeshje.

Kjo do të thotë se nëse është e nevojshme edhe një ndeshje e tretë në mes këtyre dy ekipeve, ajo do të luhet sërish në Shkodër dhe ky është një avantazh për ekipin e Vllaznisë sepse edhe me mbështetjen e tifozëve, gjithçka bëhet më e lehtë. Megjithatë duhet marrë edhe e kundërta sepse ekipi i të rinjve të volejbollit dështon në finalen e fundit pikërisht në Shkodër.

Ekipi i vajzave duket se e i ka marrë masat sepse kanë kohë që po përgatiten për këto finale. Në rradhët e tij ka disa lojtare të talentuara të cilat janë edhe pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë të cilat kanë përvojën e duhur për të treguar vlerat e tyre në këto ndeshje finale dhe për ta sjellë këtë titull kampion në Shkodër.

Shoqata e volejbollit të femrave me në krye presidentin Florian Zekja ka nisur një projekt serioz për të ardhmen dhe kuptohet që me një titull kampion me ekipin U20, ky projekt do të zbukurohej edhe më tepër./SHKODRA-SPORT.COM/