Formacioni fitues nuk ndryshohet! Ky është një ligj i pashkruar për trajnerët dhe gjasat janë që Vllaznia të luajë kundër Tiranës me të njëjtët lojtarë që e nisi edhe ndaj Kukësit, ku fitoi minimalisht 0-1 në transfertë javën e kaluar.

Edhe pse trajneri Mirel Josa pret të rikthehen nga grumbullimi me Kombëtaren titullarë si Erdenis Gurishta, Esin Hakaj dhe Herald Marku për të provuar në stërvitje formacionin që do të luajë ndaj bardhebluve të dielën, shanset më të mëdha janë që të ketë të njëjtin rreshtim si në Kukës.

Me skemën 4-3-3 dhe tre mesfushorë, që duken me karakteristika të njëjta si Alivoda, Jonuzi dhe Boshnjaku, Josa do të kërkojë të befasojë kryesuesit.

Dilemë mund të jetë maja e sulmit, por Aralica pritet të rikonfirmohet, ndërsa nga stoli mund ta nisë sërish vlonjati Ardit Hoxhaj. Gjithsesi, Josa ka edhe tri ditë në dispozicion për të përgatitur anti-Tiranën.