
Vllaznia në volejboll për meshkuj sot pasdite ka një ndeshje shumë të rëndësishme për të zhvilluar. Pikërisht atë ndaj Tiranës, e cila do të luhet në kryeqytet. Themi e rëndësishme sepse shkodranëve u duhet patjetër fitorja në mënyrë që të futen në zonën e plej-ofit, zonë kjo e cila siç dihet, do të vazhdojë luftën për titullin kampion, me pjesmarrjen e katër ekipeve më të mira të kampionatit. Vllaznia aktualisht mban vendin e pestë sepse në fillim të fazës së dytë të kampionatit, ecuria e saj nuk ka qenë shumë e mirë duke bërë tre humbje njëra pas tjetrës. Për këtë arsye, tashmë nuk mund të lejohet më asnjë hap i gabuar dhe ndonëse do të luhet në Tiranë takimi i rradhës, për skuadrën shkodrane patjetër që bën punë vetëm fitorja. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe bardheblutë kanë të njëjtin objektiv për të fituar dhe për të qenë edhe ata në katërshen e ekipeve më të mira. Gjithsesi kuqeblutë nuk duan t’ia dinë për këtë gjë. Ata edhe në ndeshjet e kupës së Shqipërisë treguan se janë ekipi më i mirë bashkë me Partizanin dhe këtë gjë do të kërkojnë ta konfirmojnë edhe në kampionat por nuk do të jetë e lehtë. Njëri nga lojtarët titullarë të tyre, Anton Qafarena është larguar sërish drejt Gjermanisë ku vazhdon stërvitjet me ekipin e tij të ardhshëm dhe një mungesë e tillë në ndeshjen e së shtunës, padyshim që do të ketë ndikimin e vet. Megjithatë volejbollistët e tjerë janë të përgatitur, bashkë me trajnerin Kroqi, për ta kaluar me sukses këtë sfidë e cila është shumë përcaktuese për të ardhmen e tyre.
© shkodrasport.com