Dy ish-mbrojtësit e Vllaznisë në sezonin 2020-2021, Eni Imami edhe Dejan Shehi, janë në fokusin e klubit shkodran.“Panorama Sport” mëson se të dy ish-lojtarët që u shpallën nënkampionë të Shqipërisë dhe fitues të Kupës mund të bashkohen sërish te Vllaznia.

Mirëpo, për Imamin një rikthim në Shkodër nuk duket krejtësisht i lehtë, edhe pse marrëveshja me lojtarin është thuajse e arritur. Tiranasi ka ende kontratë me Dinamon dhe nisur nga kjo, atij do t’i duhet që më parë të zgjidhë problemin e divorcit me klubin dinamovit.

Imami ka kaluar kohë të mira në Shkodër dhe nuk e ka fshehur asnjëherë kënaqësinë për të veshur fanellën kuqeblu.Sezoni kur luajti me kuqeblutë, ishte një nga më të mirët për të.

Madje edhe largimi mes lotësh dhe me një gol të shënuar në Ligën e Konferencës ndaj boshnjakëve të Briek la sërish një derë hapur për rikthim pranë kuqebluve.Gjithsesi, për t’u bashkuar me Vllazninë, do t’i duhet të gjejë një konsensus me Dinamon mbi anën financiare.Divorci me blutë është thuajse i sigurt, veçse pritet të kërkojë kohë, pasi është një “luftë durimi” mes palëve.

DAJAN SHEHI – Mbrojtësi i qendrës tashmë është larguar nga skuadra e Skënderbeut dhe interesimi kryesor për të vjen nga Vllaznia.

Shkodranët e pëlqejnë profilin e elbasanasit dhe i kanë bërë ofertën e tyre. Vetë Shehi ka propozime edhe nga Kosova dhe po mendohet për të ardhmen e tij. Gjithsesi, duket se Vllaznia është opsioni më i pëlqyer për ish-mbrojtësin e Partizanit.

Shehi pak kohë më parë postoi një foto me Kupën e fituar në sezonin e shkuar me Vllazninë, çka bëri që të gjithë ta interpretonin si një shenjë për një rikthim te kuqeblutë.

Më pas, mbrojtësi sqaroi situatën, duke deklaruar se ende nuk ka diçka përfundimtare mbi ekipin e ri dhe la gjithçka të hapur në vijim.“Unë e kam postuar atë foto si diçka të bukur të karrierës sime dhe është kënaqësi e çdo futbollisti që ka luajtur në Shkodër, të luajë para asaj tifozerie dhe atij klubi, por diçka konkrete nuk kam për momentin me Vllazninë.Megjithatë, le t’ia lëmë kohës”, u shpreh Dajan Shehi.