Opinion nga Adrian Barbullushi*

Prej vitesh jetoj në Greqi, megjithatë interesin për Vllazninë asnjëherë nuk e lë mbas dore. Kërkoj të informohem në çdo moment mbi ecurinë  e saj, atë se çfarë po ndodh dhe cilat janë perspektivat e saj për të ardhmen. Për më tepër, e ndjek tashmë që në krye të saj është një bashkëlojtar i imi- Rudi Vata. Kam lexuar ditët e fundit për lista të gjata lojtarësh që mund të largohen nga skuadra e të tjerë që mund të vijnë në vend të tyre.

Që të ndodh kështu, sigurisht që duhet një buxhet shumë i madh sepse të gjithë këta paguhen. Për vetë ecurinë që ka patur ekipi sivjet, mendoj se më mirë do ishte që të bëheshin planet me lojtarë të rinj, në mënyrë që të mendohet për sezonin tjetër. Futbolli në Shkodër ka shumë ndryshim me atë të qyteteve të tjera. Vllaznia prodhon shumë lojtarë dhe furnizon me to gjithë qytetet e Shqipërisë. Prandaj dhe unë si ish-koleg i Rudit, do ta këshilloja që bazën e ekipit ta kishte me lojtarë shkodranë. Sidomos tashmë që kudo është kohë krize dhe paratë janë një problem për të gjithë klubet e mëdha dhe jo më për klubet e vogla shqiptare.Kam dëgjuar ditët e fundit se Vllaznia i ka ofruar 70 mijë euro Balës dhe me këto shifra  mendoj se në Shqipëri kriza në fakt ende nuk paska ardhur, megjithatë duhet patur kujdes në shpenzimet e tepruara. Pra, unë mendoj se Vllaznia bazën duhet ta ketë tek lojtarët shkodranë. Unë nuk e di sa i vërtetë është ai lajmi se Vata kërkon të largojë lojtarë si Belisha, Sykaj e Gocaj. Unë nuk dua ta besoj këtë gjë dhe në fakt nuk dua ta besoj sepse trajneri nuk duhet të jetë në “luftë” me lojtarët më të mirë të ekipit dhe t’i detyrosh ata të ikin nga skuadra.Me këta lojtarë, trajneri duhet të luftojë për t’iu gjetur “pikat e dobëta” dhe për t’i bërë për vete, për të luajtur për të dhe për ekipin. Sidomos kur flasim për lojtarë që duan të jenë pjestar të Vllaznisë.Thjesht ky ishte një opinion i një ish-futbollisti të Vllaznisë që e ndjek këtë skuadër nga larg dhe ka dëshirë gjithmonë që emri i saj të jetë sa më lart. Vllaznia ka nevojë dhe do ndihmë nga të gjithë ata që e duan pa interes dhe unë shpresoj që ajo shumë shpejt ta gjej rrugën e duhur.

*ish-futbollist i Vllaznisë