Tjetër sukses për atletët e Vllaznisë. Ata janë shpallur sot kampionë të Shqipërisë për 20 vjeçarët. Kampionati është zhvilluar në Elbasan dhe është shoqëruar me një konkurrencë të madhe e këtë e tregon edhe renditja përfundimtare e tij. Ekipi shkodran me 188 pikë është shpallur kampion por Skënderbeu i vendit të dytë me 176 pikë ka qenë shumë afër e po ashtu edhe Mjeshtëria Sportive e Durrësit me 165 pikë është renditur në vendin e tretë. Por atletët shkodranë kanë dominuar, madje kanë nxjerrë nga rradhët e tyre edhe sportistin më të mirë të kampionatit që është Ergys Gjeçaj.
Vllaznia ka arritur të fitojë disa disiplina sportive dhe konkretisht:
100 metra kampion Edison Qardaku
200 metra kampion Franko Burraj
400 metra kampion Eqerem Rusi
110 m/ pengesa kampion Eqerem Rusi
së gjati kampion Ergys Gjeçaj
trehapësh kampion Ergys Gjeçaj
4x 100 m kampion Vllaznia (Xhulio Guri, Ergys Gjeçaj, Daniel Guri, Lisard Draçini)
4x 400 m kampion Vllaznia (Franko Burraj, Eqerem Rusi, Kristian Rrushini, Daniel Guri)
Por përveç këtyre kampionëve, sportistët shkodranë kanë zënë edhe disa vende të dyta dhe të treta duke i dhënë pikët e duhura asaj në renditjen ekipore. Për t’u përmendur fakti se në garat e 400 metrave dhe atë të kërcimit së gjati, të tre vendet e para janë zënë nga sportistët e Vllaznisë teksa përveç kampionëve kanë spikatur edhe sportistë të tjerë si Muhamet Çengili, Nimet Isufi, Lisard Draçini etj. Kuptohet që ky sukses i sotëm është frut i punës së bërë gjatë gjithë kësaj periudhe nga këta sportistë por është meritë edhe e trajnerëve që i stërvisin dhe konkretisht e Vildan Tufit, Albert Marashit, Fatjon Serhatit, Dorian Tafës dhe Bruno Rrotanit. Vllaznia në këtë mënyrë ka marrë një tjetër trofe megjithaë tashmë pikësynimi është shpallja kampion kombëtar edhe me të rriturit në kampionatin që do të zhvillohet muajin e ardhshëm.
© shkodrasport.com