Pasditën e sotme, Abissnet Superiore do të zhvillojë dy ndeshje të tjera të javës së dytë të edicionit të ri futbollistik 2022-2023. Në orën 19:30, në stadiumin “Loro Boriçi” do të zhvillohet dueli Vllaznia-Kukësi.

Skuadra shkodrane vjen pas humbjes surprizë ndaj Erzenit dhe kërkon suksesin e parë në kampionat. Edhe verilindorët e Skënder Gegës nuk e kanë provuar ende shijen e fitores këtë sezon dhe do të synojnë ta bëjnë ndaj ekipit të Mirel Josës.

Te Vllaznia kanë besim se skuadra do të ndryshojë në takimin e sotëm ndaj Kukësit. Optimizmi dhe dëshira për fitore ndaj verilindorëve është e madhe, por vështirësia e sfidës është edhe më e lartë se në start ndaj Erzenit.

Trajneri Mirel Josa do të bëjë ndryshime në formacion, teksa janë konfirmuar 100% të gatshëm dy futbollistët që janë riaftësuar nga dëmtimet, mbrojtësi Darko Bulatoviç dhe sulmuesi Ante Aralica. Kështu, Bulatoviç do të marrë rolin e titullarit dhe me shumë gjasa Shehi do të ulet në stol.

Ndërkohë, edhe Esat Mala është federuar te Vllaznia, teksa duket se ka shanse të mëdha ta nisë si titullar ndaj ish-trajnerit të tij, Skënder Gega. Gjasat janë që ndaj Kukësi të luhet me këtë formacion, duke nisur nga Zogoviç, kapiteni Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku, Mala, Latifi dhe Nunesh.

Nga ana tjetër, Kukësi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve ditën e djeshme, në kuadër të ndeshjes që do të kenë pasditën e sotme me Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”. Trajneri Skënder Gega është i fokusuar për të pasur në fushë kontingjentin më të mirë që ka në dispozicion, edhe pse është i privuar nga disa mungesa, teksa më e rëndësishmja është ajo e Dacit, pasi ka lënë “zbuluar” majën e sulmit.

Ekipi i trajnerit Gega pritet të luajë me këtë formacion, duke nisur nga Tafa, Haxhiu, Ilieski, Ferriera, Ndreca, G. Taipi, Kote, Moraesh, Basa, Hasaj dhe Zivkoviç. Ndoshta, pika më e fortë e verilindorëve nga ajo që u pa në ndeshjen me Tiranën, duket të jetë qendra e mbrojtjes, teksa mbrojtësi portugez Tiago Ferriera zhvilloi një ndeshje shumë pozitive me bardheblutë javën e kaluar.

Ndërkohë, duke qenë se, Kukësi luan në transfertë dhe ka jo pak probleme me mungesat, pritet që të tregohet i kujdesshëm në prapavijë, duke mbrojtur në bllok dhe duke tentuar më shumë të kapë në befasi me anë të kundërsulmit shkodranët. Futbollistëve u është bërë e qartë gjatë javës në seancat stërvitore se duhet të zbatojnë mirë detyrat dhe të mos kalojnë në aventura, pasi mund të sjellin ndëshkimin e skuadrës.

Për këtë arsye, Kukësi shpreson më së shumti në këtë ndeshje te kundërsulmi dhe një mbrojtje “bunker”, ndërsa mesfushorët do të kenë detyrën të ndërpresin aksionet e kundërshtarëve që në nisje. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia-Kukësi, formacionet e mundshme

Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku, Mala, Latifi, Nunesh Tr: Mirel Josa

Kukësi (4-3-3): Tafa, Haxhiu, Ilieski, Ferreira, Ndreca, G. Taipi, Kote, Moraesh, Basa, Hasaj, Zivkoviç Tr: Skënder Gega