Pas dy ditësh në Elbasan do të nisë kampionati kombëtar i atletikës për të rritur. Federata Shqiptare e Atletikës ka vendosur ta ofrojë me dy ditë zhvillimin e tij që tashmë do të zhvillohet në datat 8 dhe 9 qershor. Natyrisht që është një kampionat i cili pritet me interes edhe në Shkodër pasi atletët dhe trajnerët e ekipit të Vllaznisë kanë si objektiv fitimin e titullit kampion, që do të ishte i 10-ti rradhazi për ta.

Kryetrajneri i këtij ekipi Albert Marashi, në një prononcim për “Shkodra Sport” ka bërë të ditur se elementi që do të marrë pjesë në këtë kampionat, ndonëse shumica janë djem të rinj, është i talentuar dhe prandaj, ai ka shumë besim se Vllaznia do të jetë sërish kampione e vendit.Përveç emrave të mirënjohur të Izmir Smajlajt dhe Bajram Muçës, janë edhe disa sportistë të tjerë që kanë objektivat e tyre në këtë kampionat duke nisur nga Ardit Rashi, Gledis Halluni, Durjan Idrizaj, Ergys Gjeçaj e të tjerë. Siç dihet këtë vit Vllaznia ka fituar edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë dhe po ashtu është shpallur edhe kampione me të rinjtë dhe në këtë mënyrë, i duhet edhe titulli me të rriturit për ta kompletuar në mënyrën më të mirë të mundshme suksesin e atletëve shkodranë.

© shkodrasport.com