Trajneri i sapoemëruar në basketboll për meshkuj tek Vllaznia, Refik Vorfa, pak ditë më parë do të deklaronte se në bashkëpunim me drejtuesit e klubit do të shikonin të gjitha mundësitë për të marrë ndonjë lojtar cilësor.

Dhe përpjekjet për këtë gjë nga sa bëhet e ditur, kanë nisur. Pikësynimi i parë i kuqebluve duket rikthimi në skuadër i basketbollistit shkodran Robert Shestani.

Ky i fundit në sezonin që lamë pas ka qenë pjesë e Partizanit dhe tashmë mund të ekzistojë ideja e kthimit të tij tek Vllaznia sërish.

Në fakt edhe në vitet e kaluara është bërë një tentativë e tillë por ofertat më të mira nga ekipet e tjera, e kanë bërë të pamundur këtë gjë. Tashmë duhet parë se si do të shkojnë gjërat në ditët e ardhshme.

Ardhja e Shestanit do të ishte diçka shumë pozitive duke njohur vlerat e këtij basketbollisti që është edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar.

Ai ka disa vite që është larguar nga Shkodra dhe sigurisht që edhe vete ka një dëshirë për t’u veshur përsëri kuqeblu megjithatë tashmë mbetet për t’u parë edhe oferta financiare që do t’i bëjnë drejtuesit e klubit Vllaznia.

Trajneri Vorfa e ka marrë me shumë dëshirë detyrën e re dhe normalisht do të tentojë të bëjë një paraqitje ndryshe me ekipin duke lënë pas njëherë e mirë sezonin e fundit që ishte i tëri për t’u harruar.

Nëse vjen Shestani, do të ishte një plus i madh por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të ketë edhe ndonjë përforcim tjetër.

Objektivi është që Vllaznia të kthehet edhe njëherë si pretendente për titullin kampion. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse ekipe si Tirana e Teuta kanë shpenzuar dhe po shpenzojnë shuma të mëdha falë donatorëve që kanë megjithatë e rëndësishme është që edhe shkodranët të jenë përkrah tyre.

www.shkodrasport.com