Ashtu si 17 vjeçarët, edhe 19 vjeçarët e Vllaznisë kanë fituar me të njëjtin rezultat 4-0 në ndeshjen e parë të këtij kampionati, atë ndaj Laçit të zhvilluar mesditën e sotme në “Reshit Rusi”. Trajneri Luan Zmijani e nisi lojën me këtë formacion: Qarri, Lekaj, Sekja, Shimaj, Hysenaj, Rahova, Qardaku, Smajli, Fikaj, Palushani dhe Gruda ndërsa të gatshëm ka patur Kurtulen, Lisaj, Marinaj, Dani, Mehja, Leku dhe Stafen.

Ndeshja nuk ka patur shumë histori teksa kuqeblutë kanë shënuar nga dy gola për secilën pjesë loje. Goli i parë është shënuar nga Gruda ndërsa më pas rradha për ta dërguar topin në rrjetë ka qenë e Qardakut. Në pjesën e dytë ndërkohë kanë shënuar edhe Palushani dhe Fikaj duke kompletuar fitoren e Vllaznia U-19 që nis kësisoj rrugëtimin e saj në mbrojtje të titullit kampion.

© shkodrasport.com