Vllaznia U-13 nuk ka arritur dot të fitojë në ndeshjen e javës së 27-të të kampionatit, atë të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj ekipit të Internacional Tirana. Kështu, në fund të këtij takimi është vulosur rezultati i barabartë 1-1.

Miqtë nga Tirana kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e gjashtë. Megjithatë, Vllaznia U-13 ka bërë një ndeshje të mirë, teksa është paraqitur në mënyrë dinjitoze në fushën e lojës dhe si rrjedhojë e sulmeve të tyre, kuqeblutë kanë arritur të barazojnë shifrat me anë të futbollistit Gjergj Shabi në minutën e 12-të.

Në minutat e mbetura deri në fund të takimit ka patur përpjekje nga të dy ekipet, por nuk ka patur gol tjetër dhe si rrjedhojë, e gjithë ndeshja është mbyllur në barazim 1-1. Ndërkohë, trajneri Brikeno Bizi hodhi në fushë në këtë ndeshje këtë formacion: Shpuza, Golemi, Bishaj, Luka, Shabi, Lekaj, Golemi, Brahimi, Gucija, Cakaj dhe Boshnjaku.

Pas këtij barazimi, 13-vjeçarët kuqeblu renditen në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit në kuotën e 17-pikëve, në 27-ndeshje të luajtura deri më tani. Realisht, ky kampionat për Vllaznia U-13 nuk ka qenë ai i duhuri, por flitet se një pjesë e përbërjes së këtij ekipi premton shumë për të ardhmen. /Maringlen ZHIVANI/

U-13: Vllaznia-Internacional Tirana 1-1

Goli për Vllaznia U-13: Shabi 12’

Formacioni i Vllaznia U-13: Shpuza, Golemi, Bishaj, Luka, Shabi, Lekaj, Golemi, Brahimi, Gucija, Cakaj, Boshnjaku (në dispozicion: Gjelaj, Alija, Durovi, Cani) Tr: Brikeno Bizi