Një ndeshje me shumë gola dhe me shumë rivalitet ka qenë ajo e zhvilluar pasditen e sotme në “Reshit Rusi” në mes ekipeve të 17 vjeçarëve të Vllaznisë dhe Akademisë Tiranë.

Në fund kanë triumfuar shkodranët me rezultatin 5-3. Një sfidë që ka dhuruar shumë emocione tek të pranishmit dhe kuptohet duke i lënë futbollistët dhe stafet e të dy ekipeve në ankth deri në vërshëllimën e fundit.

Të parët kanë kaluar në avantazh kuqeblutë e trajnerit Bizi. Ka qenë Sufaj që ka shënuar golin e parë që në minutën e 4-të por vetëm 10 minuta më pas do të ishte Sula që do barazonte shifrat për Akademinë.

Vllaznia nuk heq dorë nga përpjekjet e saj për të shënuar sërish dhe ia arrin me anë të Qerpikut në ’29. Sërish miqtë barazojnë me anë të Trenit në ’36 por pjesa e parë do të mbyllej me golin e Arjet Bizit në ’39.

Pjesa e parë kësisoj do të rregjistronte shifrat 3-2 për vendasit.Në fillimin e së dytës, vendasit do të shënonin edhe golin e katërt me anë të Bizit sërish.

Por kryeqytetasit do të tentonin të hynin sërish në lojë dhe Cahani ka shënuar golin e tretë në ’51 por vetëm kaq sepse Pusi do të shënonte edhe golin e pestë dhe të fundit në ’65.

Përfundimisht 5-3 për Vllaznia U17 që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 9 pikëve duke mbajtur vendin e tretë në renditje.
© shkodrasport.com