Volejbollistet e Vllaznisë të kategorisë U-20 janë fare pranë fitimit të titullit kampion. Gara për trofeun po zhvillohet mes shkodraneve dhe Dinamos, skuadra këto që pas dy finaleve janë me rezultat të barabartë, 1-1.

Skuadra shkodrane ka fituar finalen e parë në Shkodër dhe Dinamo të dytën në Tiranë, teksa ballafaqimi i ditës së sotme vendos gjithçka për ekipin kampion.

Në fakt, Vllaznia dhe Dinamo, janë dy nga skuadrat më të mira të kampionatit shqiptar për këto grupmoshave të femrave, teksa do të përballen pasditën e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, në kuadrin e finales së tretë së volejbollit të femrave U-20.

Një sfidë kjo mjaft interesante që po pritet me interes të madh edhe nga tifozëria shkodrane, edhe për faktin se volejbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Dorian Tafa, vijnë në këtë përballje pas spektaklit që dhuruan këtë sezon, duke shkuar deri në finale.

Ndeshja e tretë finale Vllaznia-Dinamo, e vlefshme për volejbollin e femrave U-20, do të luhet ditën e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke nisur nga ora 15:00.

Maringlen ZHIVANI