Me pikën e marrë ndaj Luftëtarit shkodranët u mërzitën që nuk kapën vendin e katërt por së paku u gëzuan se siguruan qëndrimin në Superligë. Por me barazimin e djeshëm të Laçit ndaj Partizanit, planet e shumë skuadrave janë prishur. Ndër to, edhe të Vllaznisë. Kurbinasit që bashkë me Tiranën konsideroheshin dy ekipet më të rrezikuara, tashmë kanë rihapur lojën. Për këtë arsye, kuqebluve së paku u duhet të marrin një pikë për të qenë të qetë më pas.

Në pamje të parë duket plotësisht e arritshme sepse janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur por në fakt nuk do të jetë e lehtë. Të trija këto sfida do të luhen ndaj rivalëve direkt e për më tepër, dy të parat do të jenë jashtë Shkodre. Fillimisht të hënën në Laç dhe pastaj fundjavën tjetër në Durrës. Për ta mbyllur kampionatin me ndeshjen e fundit në “Loro Boriçi” ndaj Tiranës. Stafi dhe futbollistët e kanë të qartë se gjërat nuk duhen lënë për javën e fundit sepse në të, gjithçka mund të ndodhë. Për këtë arsye, futbollistët dhe stafi teknik duket se e ka marrë edhe më seriozisht pjesën e mbetur të sezonit. Duke filluar nga ndeshja e rradhës, ajo me Laçin e cila konsiderohet shumë e vështirë ndaj një skuadre të motivuar si ajo kurbinase e cila do të tentojë deri në fund të qëndrojë në Superligë. Ndërkohë Vllaznia në katër ndeshjet e fundit ka treguar jo pak probleme dhe prandaj pjestarët e saj do të duhet të tregojnë edhe njëherë vlerat e tyre. Kuqeblutë padyshim që nuk do të duhet të jenë të kënaqur vetëm me një pikë. Përderisa ka ende shanse për vendin e katërt, duhet ta tentojnë deri në fund atë.
© shkodrasport.com